SHBA-të: Të ofrohet një zgjidhje që ruan raportet mes shteteve

Aktuale September 13, 2017 - 12:54

Në mars të vitit të kaluar ish-presidentja e shtetit Atifete Jahjaga pas polemikave të shumta rreth Demarkacionit pati formuar një komision “ad hoc” me ekspertë ndërkombëtarë, pjesë e të cilit ishte edhe Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan, i cili pjesën më të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar në Ballkan. Pas punës së bërë ky Komision krejt në fund pati konstatuar se Marrëveshja për Demarkacionin është krejtësisht në rregull, transmeton zeri.info.

Edhe tash pas shkarkimit të Komisionit nga kryeministri Haradinaj, Ambasada e SHBA-se në Prishtinë ka konsideruar se demarkimi i kufirit me Malin e Zi është krejtësisht në rregull sipas Marrëveshjes së vitit 2015.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin Marrëveshjen për Demarkimin e Kufirit të arritur mes qeverisë së Kosovës dhe të Malit të Zi në vitin 2015, e cila rezultoi me moshumbje të territorit nga këto dyja shtete”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës dhënë për gazetën “Zëri”, transmeton zeri.info.

Më tej Ambasada e SHBA-së bën thirrje që sa më parë të ofrohet një zgjidhje rreth kësaj marrëveshjeje.

“Presim që kjo çështje të ketë një zgjidhje të shpejtë, e cila ruan marrëdhëniet shumë pozitive dhe konstruktive mes këtyre dy shteteve”, thuhet më tej. /Zeri/