Aktuale

Luli i vocërr

Luli i vocërr
08 shtator 2017 • 07 : 50 • autori: Arbesa Ibrahimi Foto: Laura Hasani

Kadri Veseli, i njohur me nofkën e luftës “Luli”, është rizgjedhur dje në krye të Kuvendit të Kosovës. Por, për dallim nga mandati i parë kur kishte marrë 74 vota të deputetëve, ai dje mezi arriti t’i sigurojë 62 sosh. Zvogëlimi i fuqisë politike të ish-kreut të SHIK-ut nisi më 11 qershor kur PDK-ja nën drejtimin e tij pësoi tkurrjen më të madhe në historinë e saj. Për ta marrë epitetin e kryeparlamentarit, pas dështimit për shtatë herë me radhë, atij i janë dashur votat e deputetëve serbë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Nisi më 3 gusht, ndërkaq përfundoi tek dje, më 7 shtator. Tentimi i tetë me radhë për ta finalizuar seancën konstituive gjatë ditës së djeshme kurorëzoi liderin e PDK-së, Kadri Veseli, me epitetin “Kryeparlamentar”.

Veseli ndonëse edhe në legjislaturën e kaluar ishte në këtë pozitë, nuk e pati fare të lehtë që të rikthehet në krye të Kuvendit, shkruan tutuje "Zëri".

Përkundrazi, u bënë gati 3 muaj qysh prejse koalicioni PAN nisi luftën për sigurimin e votave dhe shpëtimtari i tij, më në fund, u bë AKR-ja e Behgjet Pacollit (pasi u shkëput nga koalicioni me LDK-në dhe me Alternativën) dhe votat e deputetëve të Listës Serbe.

Kështu me 62 vota pro dhe 52 kundër kreu i PDK-së rimori edhe një mandat në krye të Kuvendit, shruan "Zëri".

Ndërkohë seanca e së enjtes, e thirrur për herë të dytë dje, zgjodhi edhe pesë nënkryetarët e kësaj legjislature.

Ndërkaq, ndryshe prej Veselit, i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, pritet të zgjidhet në seancën e paralajmëruar për nesër (e shtunë).

Seanca nisi në orën 11:00, u ndërpre pas bojkotit të PAN-it

Pas kërkesës së PAN-it që seanca të mbahej dje në orën 10:00, me vendimin e kryesuesit të seancës, Adem Mikullovci, ajo nisi tek në orën 11:00.

Mirëpo, rreth gjysmë ore pas fillimit Mikullovci e ndërpreu atë, për ta thirrur në orën 14:00 (për të tetën herë me radhë), meqë PAN-i nuk erdhi në sallë.

“Detyrohem ta ndërpres seancën dhe ta vazhdojmë në orën 14:00”, tha Mikullovci, pasi  PAN-i dhe partitë joshqiptare nuk erdhën në sallë.

Ndonëse PAN-i nuk qe i pranishëm, deputetët e AKR-së ishin prezentë në Kuvend. Megjithëkëtë, pavarësisht marrëveshjes PAN-AKR, deputeti i kësaj të fundit, Labinot Tahiri, u shpreh i painformuar se çfarë po ndodh me PAN-in.

“Nuk e di se çfarë po ndodh, unë me Behgjet Pacollin dhe deputetët e tjerë jemi këtu”, tha ai.

Tahiri me këtë rast, duke folur rreth situatës së djeshme, tha se Pacolli nuk u përket lojërave politike.

“Behgjet Pacolli nuk u takon lojërave politike. Jam një person i kësaj partie që kam insistuar të zhbllokohet Parlamenti. Por këto lojëra që po bëhen me Listën Serbe apo çfarëdo, fare nuk më interesojnë”, nënvizoi ai. 

Menjëherë pas kësaj deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, konsideroi se dita e djeshme nuk ishte aspak e mirë për qytetarët e Kosovës.

“Kjo është një ditë fatkeqe për qytetarët e Kosovës se është arritur një marrëveshje me pazare dhe me dakordimin e Beogradit”, deklaroi Hoti.

Ai madje konsideroi se përpos pazareve, asgjë tjetër nuk ka në marrëveshjet mes PAN-it, AKR-së dhe Listës Serbe.

Haxhiu: PAN-i po bën pazare me postet e kabinetit qeveritar

Ndërkohë edhe deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, vlerësoi se PAN-i me bashkëpunëtorët, AKR-në e Listën Serbe, ende nuk ia ka dalë që t’i finalizojë marrëveshjet, për këtë arsye ajo ka bojkotuar seancës e orës 11:00.

“Ata ende nuk kanë arritur që t’i përfundojnë pazaret e tyre, është e qartë ata po bëjnë pazare me këtë vend, me postet e kabinetit qeveritar. Është shqetësues fakti që këta njerëz për interesa të veta po vazhdojnë të bëjnë pazare me institucionet e Kosovës”, potencoi Haxhiu.  

Ndërkaq deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, tha se bojkoti i PAN-it paraqet mosrespekt ndaj shtetit të Kosovës.

“Përsëritja e skenarit të mosparaqitjes së deputetëve të PAN-it tregon mungesën e respektit për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës, për mungesën e serioziteitit. Nëse arrihen marrëveshjet në gjysmë të natës, nëse prezantohen pazaret në gjysmë të natës dhe caktohet seanca në gjysmë të natës dhe vetë nuk paraqiten, nuk e di ndoshta duhet të thërrasim seancë në gjysmë të natës dhe ndoshta paraqiten”, tha ajo.

Ndërkohë, konsideroi se për PAN-in janë të vlefshme vetëm pazaret politike.

“Duket se krejt çka është me rëndësi janë pazaret dhe ndarja e shtetit dhe asnjëherë funksionimi i shtetit”, shtoi Kusari-Lila.

Seanca e orës 14:00, Veseli merr 62 vota

Ndërkaq, pas rikthimit në seancën e orës 14:00 nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se PAN-i nuk erdhi në seancë meqë disa deputetë u vonuan.

“Kjo ndodhi për shkak të vonesës së disa deputetëve, s’ka pasur ndonjë arsye tjetër, por ka pasur arsye se një pjesë e deputetëve të koalicionit tonë nuk ishin ende në sallë dhe për atë nuk ishim në kohë”, tha Hoxhaj.

E menjëherë pas kësaj ai dha propozimin e të nominuarit për kryeparlamentar nga PAN-i, liderin e PDK-së Kadri Veselin.

“Natyrisht që ne jemi sot që ta vazhdojmë seancën, që ta zbatojmë rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe si hap i parë i zbatimit të rezultatit të zgjedhjeve është natyrisht konstituimi i Kuvendit dhe konstituimi i saj si hap të parë parasheh propozimin e kandidatit tonë për kryetar të Kuvendit. Dua të them këtu se kandidati ynë për kryetar Kuvendi është z. Kadri Vesseli”, bëri të ditur Hoxhaj.

Menjëherë pas kësaj kandidatura e Veselit u hodh në votim dhe me votat minimale ai arriti të zgjidhet si kryekuvendar.

“Rezultati i votimit është ky, për kanë votuar 62 delegatë, kundër kanë votuar 52 delegatë, gjithsej 114 delegatë”, bëri të ditur kryesuesi Adem Mikullovci.

Ndërkohë, pos zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, gjatë ditës së djeshme u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët: Xhavit Haliti (PDK), Aida Dërguti (LVV), Kujtim Shala (LDK), Myfersa Shinik (në kuadër të komunitetit turk, boshnjak dhe ashkali) dhe Slavko Simiq nga Lista Serbe.  

Veseli zë vendin e kryeparlamentarit, LVV-ja e LA-ja lëshojnë sallën

Ndërkohë, pasi që i zgjedhuri Kadri Veseli zuri ulësen e kreut të Kuvendit, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LA (LDK, Alternativa) lëshuan menjëherë sallën.

E pas kësaj Glauk Konjufca, nga lëvizja “Vetëvendosje”, e quajti Veselin arkitekt të kapjes së shtetit.

“Në krye të institucionit më të lartë të vendit u zgjodh sërish njeriu, i cili është arkitekt bashkë me Hashim Thaçin për kapjen e shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.

Me këtë rast, Konjufca tha se një gjë e tillë është shumë dëshpëruese për popullin e Kosovës.

Kurse kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, tha se Pacolli e goditi Kosovën me përkrahjen që ia bëri PAN-it.

“Z. Behgjet Pacolli dhe AKR-ja e zhbllokoi punën e Kuvendit dhe me këtë rast ia dha Kosovës një shuplakë shumë të keqe. Unë mendoj që është i vetëdijshëm që shuplakën më të madhe ia ka dhënë vetes”, theksoi Mikullovci.

Veseli: Nuk kemi kohë për të humbur

Nga ana tjetër, kryeparlamentari i legjislaturës së re Kadri Veseli, pasi zuri vendin e kreut të Kuvendit, gjatë fjalimit të tij konsideroi se të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku, meqë tashmë nuk ka kohë për të humbur.

“Së bashku mund dhe duhet ta kthejmë Kuvendin e Kosovës nga vend inatesh personale në vend bashkëpunimi, nga shesh akuzash në forum idesh e ligjesh për zhvillimin e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur”, potencoi ai.

Ndërkohë, konsideroi se klasa politike duhet të ketë qëndrim unik për proceset e mëdha: liberalizimin, ushtrinë e integrimin evropian.

“Të kemi qëndrim unik për implementim të reformave që mundësojnë zhvillim ekonomik dhe punësim, të kemi qëndrim unik në implementimin e reformave në arsim dhe në shëndetësi, të kemi qëndrim unik për krijimin e ushtrisë së Kosovës, të kemi qëndrim unik në implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave, të kemi qëndrim unik për agjendën tonë të integrimit euroatlantik dhe për dialogun me shtetin fqinj, Serbinë”, theksoi Veseli.

Të shtunën votohet Qeveria

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, përfaqësuesit e PAN-it kanë bërë të ditur se Qeveria e re do të votohet këtë të shtunë. Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, qe ai i cili dha njoftimin rreth kësaj çështjeje, pak pas konstituimit të Kuvendit.

“Shpresoj që ditën e shtunë pasdite do të jetë seanca e radhës, në të cilën do të votohet Qeveria dhe kryeministri Ramush Haradinaj”, deklaroi ai.

Ndërkohë tha se arsyeja pse seanca për Qeverinë është shtyrë ka të bëjë pikërisht me Listën Serbe.

“Arsyeja pse u shty seanca, kanë qenë disa mosmarrëveshje me Listën Serbe. Por fajtor për këtë jemi të gjitha partitë politike, sepse neve për shkak të inateve tona e kemi sjellë veten në situatë që disa të tjerë të bëjnë hajgare me neve”, u shpreh Zeka.

Ai më tej u shpreh optimist se pas zgjedhjeve lokale koalicionit të tyre do t’i bashkohet edhe LDK-ja.

“Megjithatë, është arritur edhe një pajtueshmëri edhe me Listën Serbe dhe pas zgjedhjeve lokale besoj që do të ketë një riformatim të Qeverisë dhe besoj që edhe LDK-ja do të na bashkohet”, shtoi ai.  

Edhe deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, deklaroi se të shtunën pasdite do të mbahet seanca ku do të votohet Qeveria.

“Sot pas një periudhe disamujore u zgjodh kryetari i Kuvendit, nënkryetarët e saj dhe ditën e shtunë do të mbahet seanca, në të cilën do të votohet për Qeverinë e Kosovës”, tha Sherifi. 

 

© zëri.info