Bahtiri: AKR-ja nuk do të bëjë koalicion me PAN-in

Aktuale August 23, 2017 - 10:34

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri, ka thënë se subjekti i tij nuk do të bëjë koalicion me PAN-in, raporton “Zeri.info”.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se këtë vendim kryesia e AKR-së e ka marrë mbrëmë.

Bahtiri po ashtu ka hedhur poshtë zërat se ai nuk do të rikandidoj për kryetar të Mitrovicës.

Postimi i plotë i Bahtirit

Dje mediat kishin shkruar se unë nuk do të rikandidoj për kryetar të Mitrovicës, por pasi që isha në ceremoninë e varrimit të Bajram Rexhepit, e kam pasur telefonin mbyllur dhe nuk kam mundur t’iu përgjigjem thirrjeve të mediave dhe të qytetarëve, për shqetësimet e të cilëve më vjen jashtëzakonisht keq.

Po ashtu edhe familja ime ishte shqetësuar shumë, të cilët pastaj edhe bënë një apel publik që të rikandidoj. Unë i garantoj qytetarët e Mitrovicës se do të jem çdoherë me ta dhe do të punoj për ta.

Pra, unë do të rikandidoj prapë për kryetar të Mitrovicës, ku fitorja do të jetë e pakontestueshme, duke pasur parasysh punët që i kemi bërë së bashku me qytetarët dhe ekipin më të cilin i hyj kësaj gare.

Pjesë e ekipit tim do të jenë njerëzit më të devotshëm që vijnë nga gjiri i popullit, ku sot do ta prezantoj listën me 38 kandidatët e AKR-së për asamble komunale, të cilët janë njerëzit me të denjë të Mitrovicës për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve.

Gjithashtu, ju informoj se AKR-ja mbrëmë ka marrë vendin që mos të bëjë koalicion me PAN-in.