Marrëveshja për ndarjen e ministrive

Aktuale August 23, 2017 - 08:03

Partitë politike janë në prag të finalizimit të marrëveshjes për ndarjen e ministrive të qeverisë “Haradinaj”. Gazeta “Zëri” ua sjell listën e ministrive që pritet t’i takojnë PDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së, Listës Serbe,...

Aleanca Kosovare e Re (AKR) e Behgjet Pacollit përfundimisht të enjten (nesër) do ta braktisë koalicionin me LDK-në dhe do ta votojë kandidatin e koalicionit PAN për kryeparlamentar, Kadri Veseli, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Për një veprim të tillë Partia e Behgjet Pacollit pritet t’i fitojë së paku dy ministri të rëndësishme në qeverinë “Haradinaj”, e cila do të votohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Burimet e gazetës Zëribëjnë të ditur se AKR-ja do të udhëheqë me diplomacinë kosovare, ku në këtë post do të shkojë lideri i partisë, Behgjet Pacolli dhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Partisë më të madhe në koalicionin PAN (PDK-së), përpos postit të kryeparlamentarit, sipas burimeve të gazetës Zëri, në Qeverinë e re do t’i takojë posti i zëvendëskryeministrit, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e FSK-së, Ministria e Drejtësisë e Ministria e Integrimeve Evropiane.

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, i takon posti i kryeministrit, përderisa sipas diskutimeve me partnerët pritet t’i takojë edhe Ministria e Infrastrukturës, ajo e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit.

Nisma për Kosovën do të udhëheqë me Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale dhe po diskutohet edhe për drejtimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministrinë e Mjedisit pritet ta udhëheqë Dardan Gashi, i cili ka ndërmjetësuar që Teuta Rugova t’i votojë kandidatët e koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit dhe të Qeverisë.

Listës Serbe i është lënë njëra nga ministritë më të rëndësishme në Qeverinë e re të Kosovës, ajo e Bujqësisë dhe me shumë gjasë edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete dhe ajo e Pushtetit Lokal.

Disa ministri të tjera do t’u takojnë komuniteteve joserbe, të cilët do ta përkrahin koalicionin PAN për t’i formuar institucionet qendrore.

Lekaj: Prioritet i AAK-së, shëndetësia, arsimi dhe zhvillimi ekonomik

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë për “Zërin” se AAK-ja do të udhëheqë me cilindo dikaster për të cilin Haradinaj merret vesh me partnerët e koalicionit. Ai ka përmendur që prioritet për ta do të jetë shëndetësia, arsimi dhe zhvillimi ekonomik.

“Ne jemi në angazhime të përditshme që të ndodhë konstituimi i institucionit sa ma parë. Ndarja e resorëve do të bëhet sipas marrëveshjeve që janë dhe që do të bëhen të ditura me kohë. Si aleancë jemi të gatshëm me kuadro që ta udhëheqim cilëndo dikaster për të cilin merren vesh kryeministri Haradinaj me partnerët e koalicionit. Dihet që resorët jetikë për vendin dhe që janë prioritet për qeverinë “Haradinaj” kanë të bëjnë me shëndetësinë, arsimin, rendin, ligjin dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa Enver Hoti nga Nisma për Kosovën i ka thënë “Zërit” se Nisma do të udhëheqë me të gjitha ministritë që merret vesh me partnerët e koalicionit. Megjithatë ai tha se, përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, mbetet të shihet se a do ta marrin edhe ndonjë dikaster tjetër.

“Ne jemi në bashkëbisedim dhe si subjekt jemi përgatitur mbi parimet e socialdemokracisë. Tani për tani, përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk mund të japim emërtime të tjera pasi mbetet të shohim”, ka thënë Hoti.

Por brenda kësaj partie për gazetën “Zëri” kanë treguar se, përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nisma do të udhëheqë edhe me Ministrinë e Tregtisë.

Mushkolaj: Qeveria “Haradinaj”, qeveri e akomodimit të interesave

Në anën tjetër Imer Mushkolaj, analist politik, ka thënë se numri i madh i subjekteve politike në Qeveri do të bëjë që të kemi një numër të madh ministrash, zëvendësministrash e këshilltarësh.

Ai një qeveri të tillë e ka quajtur “qeveri të akomodimit të interesave”.

“Duke pasur parasysh se ministritë nuk ndahen sipas parimeve e prioriteteve, por thjesht janë në pazar, atëherë secila parti në koalicion funksionon sipas formulës “merr sa më shumë që mundesh”, ka thënë ai.
 

Image