Sonte përfundon afati i dorëzimit të emrave të kandidatëve në KQZ

Aktuale August 22, 2017 - 20:11

Sonte në mbrëmje përfundon afati i dorëzimit të emrave të kandidatëve për kryetar komunash në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në KQZ thonë se tashmë është bërë traditë që në periudha zgjedhore partitë politike të presin ditën dhe orët e fundit të përfundojnë procedurat për certifikim. Njësoj po ndodh edhe në këto zgjedhje. Partitë ende nuk i kanë kompletuar listat.

Ora 24:00 është afati i fundit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në një paraqitje në RTK se deri në pjesën e parë të ditë së martë në KQZ emrat e kandidatëve i kanë dorëzuar 31 subjekte politike.

Elezi tha se dita e djeshme dhe sot janë më të ngarkuara për shkak se subjektet politike e lënë momentin e fundit për ta kryer këtë proces.

Ai po ashtu tha se emrat e kandidatëve për asamblistë do të publikohen pas certifikimit të tyre.

Në ditën e fundit për aplikim, emrat e asamblistëve dhe kandidatëve për kryetarë komunash pritet t`i dorëzojnë edhe partitë kryesore parlamentare. Kjo pasi që këto subjekte politike ende nuk kanë vendosur për të gjitha komunat.

S’do mend se kohën më të madhe për këtë vonesë e ka marrë vendimi për kandidatët për kryetar të Prishtinës por edhe disa komunave të tjera të mëdha.

Ajo që dihet është se për kryeqytetin partitë kanë vendosur tashmë se më kë do t`i futen garës.

Vetëvendosje, vazhdon me Shpend Ahmetin, LDK me Arban Abrashin, PDK me gjasë me Lirak Çelajn dhe AAK me Arbër Vllahiun.