Shuhet ish-kryeministri i parë i Kosovës

Aktuale August 22, 2017 - 08:03

Bajram Rexhepi, ish-kryeministër i parë i Kosovës, ka ndërruar jetë dje në një spital të Turqisë. Ai do të varroset sot me ceremoni shtetërore në vendlindjen e tij në Mitrovicë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ish-kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka ndërruar jetë të hënën në një spital të Turqisë, ku ndodhej për një kohë të gjatë, pas një sulmi që kishte pësuar në tru. Trupi i pajetë i tij do të sillet të martën në mëngjes, përderisa pasdite do të varroset me ceremoni shtetërore në vendlindjen e tij në Mitrovicë.

Pas konfirmimit të lajmit për vdekjen e Rexhepit Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa, ka themeluar një këshill të veçantë për organizimin e ceremonisë mortore të ish-kryeministrit Rexhepi, i cili ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare, shkruan "Zëri".

Rexhepi ishte lindur më 3 qershor të vitit 1954 në Mitrovicë.

Në vitin 1979 kishte përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i ka përfunduar në vitin 1985 në Zagreb.

LEXO EDHE: Zgjedhjet e reja, kandidatët e vjetër

Gjatë luftës së viteve 1998-99 Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi tre muaj në male duke shërbyer si mjek në Zonën Operative të Shalës.

Ndërsa pas luftës Rexhepi shërbeu si kryetar i Këshillit Bashkiak të Mitrovicës dhe kryetar i Mitrovicës së Jugut.

Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës, ndërsa Ibrahim Rugova ishte zgjedhur president i Kosovës.

Ndërsa gjatë periudhës 2010-2014 Rexhepi ka qenë ministër i Brendshëm i Kosovës.

Thaçi: Rexhepi ishte shembull për të gjithë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ngushëlluar familjen Rexhepi pas vdekjes së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Thaçi në deklaratën e tij ngushëlluese ka shkruar se Rexhepi ishte shembull për të gjithë.

“Me dhembjen më të madhe e pranova lajmin për vdekjen e mikut tim, kolegut tim, Bajram Rexhepit, kryeministri i parë i Kosovës, burrështetas dhe politikan që ka prekur jetët e të gjithëve me urtinë e tij. Maturia, durimi, por edhe guximi për të vepruar kur duhej, ishin shembull për të gjithë kolegët e tij. Sinqeriteti, afërsia dhe respekti i tij ishin shembull për të gjithë miqtë e tij. Të gjithëve do të na mungojë si mik, si koleg, si shembull”, ka shkuar mes tjerash presidenti.

Po ashtu kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka thënë se është e vështirë që të përshkruhet veprimtaria e Bajram Rexhepit, sepse, sipas tij, ai ka qenë një politikan i pranuar nga të gjithë, pjesëmarrës në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një atdhetar i devotshëm.

“I jemi mirënjohës Bajram Rexhepit për kontributin si para dhe pasluftës. Ndarja nga jeta është humbje e madhe për familjen, Kosovën dhe bashkëveprimtarët. Ai ka qenë në periudhën 2002 - 2004 kryeministër i vendit dhe ka ushtruar funksione të rëndësishme shtetërore”, ka shtuar Mustafa.

Personalitete shtetërore dhe publike brenda dhe jashtë Kosovës kanë ngushëlluar familjen Rexhepi.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se vdekja e Bajram Rexhepit është një humbje e madhe për vendin.

Personalitetet botërore për Rexhepin: Mik e politikan i spikatur

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ka ngushëlluar familjen Rexhepi pas vdekjes së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Ambasadori Delawie po ashtu ka shprehur ngushëllime edhe për kolegët dhe bashkëpunëtorët e Rexhepit, të cilët për vite me radhë kanë punuar me të.

Edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairí O'Connell, ka ngushëlluar familjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook” ka kujtuar kohën kur e njohu ish-kryeministrin Rexhepi.

O'Connell ka thënë se ndihet me fat që pati mundësi ta njohë Rexhepin.

“Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Rexhepit. I shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij dhe popullit të Kosovës. Bajramin e kam konsideruar mik. Për herë të parë e takova në vitin 2004, së bashku me shefin e Misionit, dy ditë pasi arrita në Kosovë. Si diplomat i ri isha shumë i emocionuar për takimin me kryeministrin. Unë kurrë nuk isha takuar me dikë të nivelit aq të lartë apo të rëndësishëm. Kështu që unë kurrë nuk do ta harroj mirëpritjen e Bajramit dhe sa më bëri të ndihem i lehtësuar”, ka shkruar ai në një postim të tij.

Ngushëllime për familjarët dhe popullin e Kosovës ka shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka thënë se ish-kryeministri Rexhepi ishte një shqiptar i ndershëm dhe patriot.

“Bajram Rexhepi ishte një shqiptar i ndershëm dhe patriot. Një burrë i thjeshtë që i bëri nder Kosovës në çdo detyrë dhe i bën sot të ndihen të ligështuar për humbjen e tij, jo vetëm miqtë, por edhe të gjithë ata që politikisht ishin në llogore të tjera nga e tija. Ai ia doli aty ku shumëkush nuk ia del dot: La pas një kujtim të mirë tek të mëdhenjtë e tek të vegjlit”, ka shkruar Rama në mesazhin e tij ngushëllues.  

Për Bajram Rexhepin ngushëllime ka shprehur edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai ka përmendur kontributin e Rexhepit si kryeministër i parë i Kosovës, si politikan i spikatur në vitet e para të Kosovës së çliruar.

“Si luftëtar i paepur për çështjen e Pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet i tij për ndërtimin e institucioneve të saj do të mbeten të paharruara në mendjen dhe në zemrat e të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Meta. Trupi i pajetë i Rexhepit pritet të arrijë nesër në ora 08:30 në aeroportin “Adem Jashari”.