Votat për PAN-in, AKR-ja e përçarë

Aktuale August 21, 2017 - 08:25

Të premten ka përfunduar “ultimatumi” që kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ua ka dhënë partnerëve të tij të koalicionit.

Megjithatë ai ende nuk ka marrë ndonjë vendim për ndryshim qëndrimi nga ky koalicion. Brenda kësaj partie për “Zërin” kanë thënë se AKR-ja do t’u qëndrojë besnikë partnerëve të deritanishëm.

Nënkryetari i kësaj partie, Korab Sejdiu, është shprehur i vendosur që nuk do ta ndryshojë qëndrimin që kishte deri më sot.

Por të bindur në përkrahje janë koalicioni PAN, që janë shprehur të bindur që më 24 gusht kandidati i tyre, Kadri Veseli, do të zgjidhet kryetar Kuvendi.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që deputetët e AKR-së të votojnë të ndarë, shkruan tutje "Zëri".

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së dhe deputet i koalicionit PAN, ka deklaruar se PAN-i ka besim të plotë që më 24 gusht kandidati i tyre, Kadri Veseli, do të zgjidhet kryetar Kuvendi.

LEXO EDHE: Prokuroria hesht karshi skandalit 15-milionësh (DOKUMENT)

Kjo do të arrihet, sipas tij, pas diskutimeve që PAN-i pasur me deputet të partive tjera, por edhe me parti, që aludohet të jetë AKR-ja e Behgjet Pacollit.

“Ne kemi diskutime me individë dhe me parti, prandaj 24 gushti po shpresojmë dhe besojmë që do të jetë data kur do ta marrë drejtimin e duhur krijimi i institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Ne si PAN i qëndrojmë marrëveshjes parazgjedhore në pozicionet për të cilat edhe jemi dakorduar. Prandaj besojmë që diskutimet që kanë ndodhur, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, PAN-it do t’i rezultojnë me konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë në datën e caktuar për vazhdimin e seancës, ku do të zgjidhet z. Veseli për kryetar të Kuvendit dhe pastaj edhe z. Haradinaj si kryeministër i ardhshëm”, tha Lekaj për “Zërin”.

Ndërsa Korab Sejdiu, nënkryetar i AKR-së, ka thënë përZërin se më 24 gusht AKR-ja do ta mbajë qëndrimin që e ka pasur deri më tani përkrah LDK-së.

“Nuk kam asnjë informatë që ne kemi ndryshuar qëndrimin tonë fillestar, kështu që kur të vjen 24 gushti, pra vazhdimi i seancës konstituive, AKR-ja do ta mbajë qëndrimin që e ka pasur deri më tani. Unë po flas me garanci 100% vetëm në emrin tim, por askush nga deputetët e AKR-së nuk ka dhënë ndonjë indikacion që më 24 gusht të shkojë në drejtim të mbështetjes së PAN-it. Ne e kemi edhe një takim me strukturat e partisë që ta diskutojmë më tutje situatën e krijuar, por me gjasë qëndrimi ynë do të mbetet ai që ka qenë”, ka deklaruar ai.

I pyetur se cili do të jetë hapi i radhës i AKR-së pas përfundimit të ultimatumit të Behgjet Pacollit, Sejdiu ka thënë se shpreson në marrëveshjen LAA-LVV.

“Nuk është arritje, por shpresa është se koalicioni LAA dhe LVV do ta arrijnë një konsensus pasi atë është duke e pritur edhe elektorati, pra që t’i bashkojnë forcat ta formojnë një shumicë në Kuvend dhe të vazhdojnë me funksionalizimin e institucioneve, duke përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë”, tha Sejdiu.

Bajrush Morina, njohës i çështjeve politike, ka thënë se 24 gushti do të jetë vazhdim i dështimit të seancës konstituive.

Sipas tij, asnjëra nga partitë nuk janë të interesuara në krijimin e institucioneve, por për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“24 gushti do të jetë përsëritje e dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për shkak se nuk është më problem zgjedhja e Qeverisë, por është emri i Kadri Veselit, i cili nuk është i papërshtatshëm vetëm për LAA-në e LVV-në, por edhe për disa deputetë të PAN-it. Asnjëra palë nuk i kanë numrat dhe unë mendoj se asnjëra palë nuk janë të interesuara t’i zgjidhin institucionet, por që mundësisht të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe pastaj t‘ia hedhin fajin njëra-tjetrës”, ka thënë ai.

Kurse Artan Murati, njohës i çështjeve politike, ka thënë se 24 gushti do të jetë testi final për koalicionin PAN.

Murati tha se mund të ketë lëvizje nga ana e AKR-së, megjithatë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që deputetët e AKR-së të votojnë të ndarë.

“Nëse do ta kemi një propozim konkret prej PAN-it, mendoj që ky do të jetë testi kryesor dhe testi final qoftë për Veselin, por edhe për PAN-in, për ta bërë balancën e forcave politike”, ka thënë ai.