Vendimi i AKR-së, Sejdiu tregon nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj partie (Video)

Aktuale August 20, 2017 - 20:50

Aleanca Kosova e Re po shkon drejt marrëveshjes për të bashkëqeverisur me koalicionin PAN.

Kuvendi i përgjithshëm i AKR-së e ka autorizuar presidentin Behgjet Pacolli që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë të shohë mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për daljen nga kriza edhe jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativën.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari i AKR-së, Fatmir Matoshi, duke thënë se kjo po bëhet për interesin e vendit. 

Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së i ka dhënë pëlqimin kreut të kësaj partie, Behgjet Pacolli dhe deputetëve të saj që të fillojnë negociatat jashtë koalicionit LAA për krijimin e institucioneve të Kosovës.

Një gjë e tillë është konfirmuar pas takimit treorësh që kreu i AKR-së Behgjet Pacolli kishte me strukturat e kësaj partie.

Fatmir Matoshi, kryetar i Kuvendit të AKR-së, vendimin për të filluar negociatat jashtë koalicionit LAA duke mos e përjashtuar koalicionin PAN si partner në një qeverisje të ardhshme, nuk kanë dashur ta komentojnë deputetë të AKR-së.

Deputeti Korab Sejdiu i cili vazhdimisht kishte deklaruar se është kundër një koalicioni me PAN-in, pas takimit tha shkurt se do të vazhdojë të jetë pjesë e AKR-së në Kuvendin e Kosovës.

Takimi i strukturave të kësaj partie u mbajt me dyer të mbyllura.

RTK mëson se Behgjet Pacolli shtroi para strukturave të AKR-së domosdoshmërinë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse me një listë prej 10 prioriteteve që do të duhej të trajtoheshin me urgjencë.

Sipas burimeve, demarkacioni është çështja e cila sipas Pacollit do të duhej të trajtohej menjëherë me krijimin e qeverisë së re.

Ndërkohë, zyrtarë të AKR-së nuk kanë bërë të ditur se cilët janë resorët qeveritarë të cilët ata do t`i kërkojnë nga koalicioni PAN.