Makolli: Ultimatumi i Pacollit ishte për ta bashkuar opozitën

Aktuale August 19, 2017 - 08:12

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar se ultimatumi i Behgjet Pacollit ka qenë më shumë për ta bashkuar opozitën sesa për ta braktisur koalicionin LAA. Ai e sheh të arsyeshme edhe rritjen e presionit ndërkombëtar për ta tejkaluar këtë bllokadë politike, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ka skaduar ultimatumi i presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, drejtuar Isa Mustafës dhe Albin Kurtit që brenda 10 ditëve të arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë, në të kundërtën qëndrimi i tij në koalicionin LAA nuk ka kurrfarë kuptimi. Por, palët nuk kanë arritur kurrfarë marrëveshjeje, pavarësisht këtij afati 10-ditor.

Megjithatë sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ultimatumi i Pacollit ishte dhënë më shumë për të reflektuar sesa ndonjë tentim për të dalë nga koalicioni.

“Opozita nuk është duke reflektuar, prandaj më shumë ky ultimatum ka qenë për ta bashkuar opozitën”, ka shtuar Makolli, duke sqaruar se ultimatumi synon të shpëtojë vendin nga vonesa e formimit të institucioneve.

Ai ka shtuar se Kosova aktualisht është në një situatë shumë të pafavorshme.

“Nëse dikush e do shtetin e vet, atëherë nuk do të duhej lejuar që ta lërë shtetin pa pozicion”, ka theksuar Makolli.

LDK-ja dhe LVV-ja të reflektojnë

Makolli thotë se disponimi i AKR-së dhe i presidentit të saj është interesi i vendit mbi të gjitha. Ai kërkon që LDK-ja dhe LVV-ja të reflektojnë.

“Ne i rrimë besnikë këtyre koalicioneve, por edhe koalicioni duhet të ndërmarrë diçka dhe jo të rrijë duarkryq dhe të presë ‘godonë’. Duhet të ndërmarrë diçka dhe ta qesim presidentin e vendit para aktit të kryer se nëse ne opozita jemi shumicë 61 deputetë shqiptarë dhe ne e nënshkruajmë një marrëveshje, atëherë cili president do të mundej të mos i jepte mandatin apo të na anashkalonte kur dihet se nëse fituesi i parë nuk e formon Qeverinë vjen i dyti. Kjo ka ndodhur edhe në Maqedoni e pse të mos ndodhë edhe te ne”.

“Të bëhet edhe presion ndërkombëtar”

Pasi AKR-ja nuk ka marrë një përgjigje në ultimatumin e saj dhënë LDK-së dhe LVV-së, Makolli e sheh të arsyeshme edhe një presion më të madh ndërkombëtar. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë presion te politikanët tanë të papërgjegjshëm (përjashtoj presidentin Pacolli) sepse po shikojnë vetëm interesin e vet”.  

Ndërkaq, burime të gazetës brenda koalicionit PAN kanë deklaruar se marrëveshja me Pacollin do të arrihet në momentin kur të skadojë plotësisht 10-ditëshi. “Në momentin kur skadon ai 10-ditësh Pacolli nënshkruan marrëveshje me PAN-in”, ka thënë në kushte anonimiteti ky burim brenda PAN-it, sipas të cilit, Pacollit po i ofrohen disa ministri që të lidhë marrëveshjen.

Ndërsa, në një intervistë për “Zërin” deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se koalicioni parazgjedhor LAA ka garuar përpara qytetarëve me ofertën se për asnjë çmim s’do të bëjë koalicion me PDK-në, e cila platformë do të ruhet me kujdes. “Nëse dikush e ka ndarë mendjen të shkojë e t’i bëjë argat PDK-së, e ka rrugën e hapur”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka theksuar se më 24 gusht Kadri Veseli nuk do të mundë të zgjidhet kryeparlamentar, pasi koalicioni PAN nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend.

 Qëndrime të ndryshme brenda AKR-së

Ndërkohë gjatë ditës deputeti i Aleancës Kosova e Re, pjesë e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Korab Sejdiu, ka komentuar propozimin e Albin Kurtit që nëse koalicioni PAN nuk propozon kandidatin e tyre në seancën e 24 gushtit, ai u ka bërë ftesë deputetëve tjerë ta propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit.

Sejdiu ka thënë se për këtë gjë vendos koalicioni, ndërsa personalisht i ka dhënë mbështetje këtij propozimi. Ai në një deklaratë për medie ka thënë se edhe në takimin e fundit konsultativ që kanë pasur si koalicion ka dhënë qëndrimin e tij se e drejta për ta propozuar kandidatin nuk është absolute dhe nëse PAN-i nuk propozon kandidatin e tyre, atëherë nënkupton se ata heqin dorë nga kjo e drejtë.

 “Në nivel të koalicionit nuk mund të flas sepse edhe nuk e kam parë letrën e Kurtit dhe natyrisht koalicioni merr vendime në nivel të koalicionit. Mirëpo në nivel personal unë edhe në takimin e fundit konsultativ e kam cekur që e drejta e tyre për të propozuar kandidatin nuk është absolute dhe në momentin që ata dështojnë që sërish ta propozojnë kandidatin, atëherë nënkuptohet që heqin dorë nga kjo e drejtë. Natyrisht, e kuptoj ndodh që edhe propozimi i Kurtit të shkojë në atë drejtim”, ka thënë Sejdiu.

I nominuari për kryeministër nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka propozuar që LVV-ja dhe LAA-ja ta propozojnë një kandidat të tyre për kryetar të Kuvendit në seancën e 24 gushtit.

Ai ka thënë se këtë veprim duhet bërë për të zhbllokuar situatën e krijimit të institucioneve, që po bën PAN-i.

Kurti ka thënë se nëse në seancën e javës së ardhshme PAN-i nuk propozon kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit, atëherë deputetët të cilët deri më tani kanë marrë pjesë në seancë do ta propozojnë një kandidat dhe do ta zgjedhin kryetarin.

Seanca e radhës konstituive e Kuvendit do të mbahet më 24 gusht.