Vendimi për specializantët, në QKUK parashikojnë krizë serioze në nivel vendi (Video)

Aktuale August 18, 2017 - 22:08

Gjykata e Apelit me vendimin e saj ka zënë në befasi mbi 240 mjekë specializantë në nivel vendi.

Mjekët që fituan gradat me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë si rezultat i përvojës mbi 10 vjeçare, tashmë janë në hall të madh.

Vendimi i gjykatës, sipas mjekëve, krijon gjendje kolapsi në shëndetësi në nivel kombëtar, ndërsa paditësit që janë 5 mjekë, 2 prej të cilëve me specializime të kontestuara, paraqesin kundër-argumentet e tyre.

Gjykata e Apelit me vendimin e saj për të mos njohur pozitat e specialistëve dhe të subspecialisteve është pritur me shqetësim të madh të mbi 240 mjekëve të cilët me vendim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani kanë gëzuar të drejtën e gradimit si rezultat i përvojës mbi 10 vjeçare në shërbimet specifike shëndetësore.

Rastin në gjykatë e dërguan vetëm 5 mjekë ndërsa vetë drejtori i SHSKUK-së Curr Gjoci është mjaft i befasuar se si ka arritur gjykata ta marrë këtë vendim jashtë çdo vlerësimi objektiv.

Por sipas njërit prej mjekëve të cilët kanë paditur MSH-në për barazvlerësime të cilat i ka bërë, sistemi shëndetësor në Kosovë duhet të rrënohet i tëri dhe të zhvillohet  prej fillimit, raporton RTK.

Sipas shefit të katedrës se Internos, Shemsedin Sadiku, sistemi shëndetësor në Kosovë do të pësojë kolaps nëse vjen deri tek anulimi i gradave të cilat u janë dhënë mjekëve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në ditët në vijim ajo do ta shqyrtojë vendimin e gjykatës së apelit dhe do t`i njoftojë institucionet shëndetësore lidhur me hapat e mëtutjeshëm, por deri atëherë të gjitha thirrjet përkatëse të cilët i kanë mjekët sipas ministrisë janë valide deri në njoftimin tjetër të Ministrisë.