Banorët e Hades dhe Shipitullës paralajmërojnë përsëri protestë nëse nuk arrihet marrëveshje

Aktuale August 18, 2017 - 19:33

Banorët e disa lagjeve të fshatrave Hade dhe Shipitullë kanë ndërprerë protestën e sotme, pas arritjes së marrëveshjes për një takim të hënën me menaxhmentin e KEK-ut, Komunës së Obiliqit, MMPH-së dhe prokurorin e shtetit.

Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet marrëveshje për ndërprerjen e punimeve të ekskavatorëve të KEK-ut, do të dalin serish në protestë edhe më masive.

Protestuesit kanë arritur marrëveshje me komandantin e policisë së rajonit të Obiliqit, Sejdi Zeqiri që të hënën në zyrat e policisë, të takohen me menaxhmentin e KEK-ut, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kryetarin e komunës së Obiliqit Xhafer Gashi dhe prokurorin e shtetit, duke kërkuar që të ndërpriten punimet e ekskavatorëve të KEK-ut.

Me këtë rast protestuesit paralajmëruan se nëse të hënën deri në ora 15:00 nuk arrihet asnjë marrëveshje, ata do të zhvillojnë protesta më të ashpra te vija e sigurisë. Protestuesit e mbledhur nga lagjet Mirena, Krasniqi, Bërbatovci dhe Mjekiqi të fshatit Hade dhe Shipitull thonë se ekskavatorët e KEK-ut janë duke operuar brenda zonës së sigurisë në afërsi prej 120 metrash ku janë duke jetuar banorët.

Ata kanë tentuar t’i afrohen kufirit ku po punojnë ekskavatorët, por për këtë ata janë penguar nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/