Kelmendi: Rastet e sulmeve ndaj gazetarëve do të trajtohen me prioritet

Aktuale August 18, 2017 - 09:10

Institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare kanë kërkuar të hetohet sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri. Sulmi ndaj drejtorit të gazetës “Insajderi”, Parim Olluri, ka ndodhur të mërkurën mbrëma, në rrugën "Bajram Kelmendi", në Prishtinë, afër banesës së tij, rreth orës 22:00, shkruan sot, gazeta Zeri.

Parim Olluri të enjten ka deklaruar në një postim në rrjetin e tij social se nuk ka lëndime të rënda. “Genta (bashkëshortja) e ka marrë veten nga tronditja prej sulmit të mbrëmshëm. Sulmuesit nuk i njoh, por Policia është duke u marrë me rastin. Shpresoj që do t’i zbulojnë edhe urdhërdhënësit e tyre”.

Olluri ka thënë se gazetarët këto sulme pas shpinës i bëjnë edhe më të fortë.

“Na tregojnë sa njerëz të ligë janë ata për të cilët raportojmë. Nëse kanë menduar se ‘Insajderi’ do të ndalet së publikuari aferat mafioze të tyre, janë gabuar rëndë. Ata duhet të kenë frikë nga ne gazetarët e jo ne të frikësohemi nga të korruptuarit”, ka shkruar Olluri në rrjetin e tij social “Facebook”, në të cilin ka njoftuar se ai dhe kolegët e tij në “Insajder” do të vazhdojnë të jenë të ashpër në luftimin e së keqes, sekserëve, komandantëve të korruptuar të UÇK-së dhe të gjithë siç është shprehur ai “hajnave tjerë, të formave të ndryshme”.

Ky sulm po ashtu është dënuar dhe nga komuniteti i gazetarëve, partitë politike, si dhe nga shoqëria civile në vend.  Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, tha për “Radion Evropa e Lirë” se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sulme ndaj gazetarëve do të trajtohen me prioritet. "Të gjitha rastet janë duke u trajtuar me prioritet dhe ky rasti i fundit që ka ndodhur dje me zotin Parim Olluri është duke u trajtuar me prioritet. Ne e kemi ftuar zotin Olluri që të jetë vazhdimisht në kontakt me ne për ta mbështetur. Pra, çdo rast që po ndodh trajtohet me prioritet", tha Kelmendi.

Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, tha për “Radion Evropa e Lirë” se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sulme ndaj gazetarëve do të trajtohen me prioritet. "Të gjitha rastet janë duke u trajtuar me prioritet dhe ky rasti i fundit që ka ndodhur dje me zotin Parim Olluri është duke u trajtuar me prioritet. Ne e kemi ftuar zotin Olluri që të jetë vazhdimisht në kontakt me ne për ta mbështetur. Pra, çdo rast që po ndodh trajtohet me prioritet", tha Kelmendi.

Derisa Policia e Kosovës ka konfirmuar se po heton rastin, EULEX -i ka kërkuar një hetim të shpejtë. Policia e Kosovës ka bërë të ditur për “Zërin” se po hetohet rasti i sulmit ndaj gazetarit dhe drejtorit të “Insajderit” Parim Olluri.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se Policia ka nisur hetimet për të ndriçuar sulmin ndaj gazetarit Olluri. “Për shkak se ndodhemi në fazën e hetimeve nuk mund të ofrojmë të dhëna rreth rastit apo të dyshuarve”, ka thënë ajo.

Gjatë ditës ka reaguar dhe misioni i EULEX-it në Kosovë. Ky mision e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm fizik ndaj drejtorit të “Insajderit” Parim Ollurit. Përmes një reagimi EULEX-i e ka cilësuar si sulm ndaj lirisë së shprehjes. “EULEX-i dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Parim Ollurit. EULEX-i i dëshiron shërimin sa më të shpejtë dhe një hetim të shpejtë në këtë incident”, thuhet në reagimin e tyre.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, u ka bërë thirrje autoriteteve që rastin e Ollurit ta trajtojnë me seriozitetin më të madh. “E dënoj sulmin e mbrëmshëm frikacak ndaj Parim Ollurit. Shoqëritë e lira dhe demokratike mund të ekzistojnë vetëm si rezultat i punës jetike dhe të guximshme të gazetarëve”. O’Connell u ka bërë thirrje autoriteteve të trajtojnë këtë rast me seriozitetin më të madh. “Gjithashtu u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë informacione rreth këtij rasti të kontaktojnë Policinë: ky do të ishte një akt patriotik”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Avni Islami, profesor i çështjeve të sigurisë,ka thënë se rrahja e gazetarit hulumtues Parim Ollurit tregon se sa të fortë janë grupet e organizuara kriminale, shkruan gazeta Zeri.

Sulmi ndaj Ollurit është dënuar dhe nga kryeministri në detyrë Isa Mustafa. Ai e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri, duke shtuar se beson shumë në “efikasitetin e organeve shtetërore për të sjellë para drejtësisë akterët e dhunës”.  

Sulmin e ka dënuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga organet e sigurisë dhe të ndjekjes reagim urgjent për zbardhjen e sulmit ndaj gazetarit Olluri, i cili ishte i shoqëruar edhe me të fejuarën e tij./Zeri/.