Zogaj vazhdon të trajtohet në QKUK

Aktuale August 18, 2017 - 08:44

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, pas sulmit ndaj tij një ditë më parë po vazhdon të trajtohet në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK. Ndërsa organet e sigurisë kanë bërë të ditur se po vazhdojnë hetimet ndaj këtij sulmi. Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës ka deklaruar për gazetën se rasti po hetohet, shkruan sot, gazeta Zeri.

PK-ja nuk ka dhënë detaje të reja rreth rastit me arsyetimin e mospengimit në zhvillimin e hetimeve. Por në një njoftim për medie PK-ja ka njoftuar se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe pas përfundimit të procedurave fillestare nga ana e Policisë, puna hetimore e Policisë është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre, si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

I kontaktuar nga gazeta drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina, ka thënë se gjendja e Zogajt është stabile. Sipas tij, Zogaj po merr tretmanin e vazhdueshëm në këtë klinikë, shkruan Zeri.

Sulmi ndaj Zogajt është dënuar dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka dënuar ashpër sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogajt. Nëpërmjet një shkrimi në “Facebook” Thaçi ka thënë se ky sulm është “i papranueshëm, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës dhe përpjekjeve tona për forcimin e sundimit të ligjit”.

Ai ka ftuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë “që të ndriçojnë sa më parë këtë rast dhe të gjejnë autorët e këtij krimi”. “Drejtorit Zogaj i uroj shërim sa më të shpejtë”, ka përfunduar presidenti Thaçi.

Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu ka dënuar sulmin ndaj drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogajt, duke konsideruar se ky akt i rëndë i kryer ndaj Zogajt është sulm ndaj institucioneve të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka ftuar organet kompetente që të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të kryesve të tij dhe fton bartësit e detyrave të rëndësishme shtetërore që të vazhdojnë punën dhe përkushtimin e tyre për mbarëvajtjen e institucioneve dhe të proceseve demokratike si parakusht i luftimit të dukurive negative dhe të kryerësve të tyre.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar për sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri, si dhe për sulmin që ka ndodhur një ditë më parë ndaj drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogajt. Veseli ka kërkuar nga organet e drejtësisë që pa asnjë zvarritje t’i zbardhin sa më shpejt këto raste. “Janë të papranueshme dhe të patolerueshme sulmet e djeshme ndaj drejtorit Sokol Zogaj dhe gazetarit Parim Olluri.

Ky shtet është ndërtuar mbi vlera të larta të demokracisë dhe i tillë duhet të mbetet. Organet e drejtësisë, pa asnjë zvarritje, duhet t’i zbardhin këto raste”, ka thënë Veseli.  Ndërkaq, edhe IKD-ja konsideron se sulmi ndaj ushtruesit të detyrës së Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogajt dhe gazetarit Parim Olluri në të njëjtën ditë janë alarm për institucionet e sigurisë dhe të ndjekjes që t’i zbardhin rastet dhe të sjellin para gjykatës kryesit e këtyre akteve kriminale.