LDK-ja nuk pranon ultimatume

Aktuale August 18, 2017 - 08:13

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se koalicioni parazgjedhor LAA ka garuar para qytetarëve me ofertën se për asnjë çmim s’do të bëjë koalicion me PDK-në dhe kjo platformë, siç thotë ai, do të ruhet me kujdes. Por, sipas tij, nëse dikush e ka ndarë mendjen të shkojë e t’i bëjë argat PDK-së rrugën e ka të hapur

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk pranon e as nuk operon nën logjikën e ultimatumeve.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e komentuar ultimatumin 10-ditor të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, që LDK-ja dhe LVV-ja të arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë, në të kundërtën, siç ka thënë ai, qëndrimi i tij në koalicion me partinë e Isa Mustafës nuk ka kuptim.

“Çështja e luftimit të kapjes e të kapësve është çështje besimi. Ose ke besim, ose s’e ke. Në qoftë se beson në projektin antikapje, atëherë s’ka gjë që të largon nga ky rrugëtim. Në të kundërtën, po s’besove, gjen pretekste e arsye nga më të ndryshmet”, është shprehur Abdixhiku.

Sipas tij, koalicioni parazgjedhor LAA ka garuar përpara qytetarëve me ofertën se për asnjë çmim s’do të bëjnë koalicion me PDK-në, e cila platformë, siç thotë ai, do të ruhet me kujdes.

Megjithatë Abdixhiku, i cili është njëri nga deputetët më të votuar të LDK-së, thotë se  nëse dikush e ka ndarë mendjen të shkojë e t’i bëjë argat PDK-së, e ka rrugën e hapur.

Ai është i bindur se as më 24 gusht Kadri Veseli nuk do të mundë të zgjidhet kryeparlamentar, pasi që koalicioni PAN nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend.

Zëri: Z. Abdixhiku, kryesuesi i seancës konstituive ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të jetë më 24 gusht, ashtu siç kërkoi përfaqësuesi i PAN-it. Pse mos të mbahet seanca edhe më herët, përkatësisht a ishte kjo shtyrje me qëllim që të binden disa deputetë nga partitë tjera për ta mbështetur koalicionin e tyre?

Abdixhiku: Tashmë është evidente se pavarësisht proklamimit të bërë që nga dita e parë, PAN-i nuk i ka numrat; në fakt s’i kishte asnjëherë. Dhe, që nga atëherë PAN-i është në përpjekje të vazhdueshme që nëpërmjet blerjes së kohës të ushtrojë presion për kontrabandë. Deri më tani kjo kohë e blerë s’ka qenë e mjaftueshme, rrjedhimisht janë në kërkim të kohës shtesë.

Një grup politik me minimalisht pak dinjitet do ta pranonte vullnetin e shumicës. Do të pranonte se nuk i do askush për partner. Por PAN-i këtë dinjitet nuk e ka. Çfarë ata kanë është vullneti për kërcënim me bllokadë për teke krejtësisht personale. Ata, nëpërmjet hapësirave kushtetuese të shkaktuara nga një interpretim skandaloz kushtetues i vitit 2014, mbajnë peng gjithë institucionet e gjithë Republikën. Pra, si gjithherë, të njëjtit prodhojnë kapje dhe në këtë rrugëtim të kapjes nuk zgjedhin mjete, duke përfshirë edhe kontrabandën publike që në secilin standard demokratik është moralisht i dënueshëm.

S’e votojmë Veselin, as Haradinajn

Zëri: Koalicioni LAA do të shkojë në seancën e 24 gushtit, por a do t’i ketë numrat PAN-i që Kadri Veseli të zgjidhet kryeparlamentar dhe më pas Ramush Haradinaj kryeministër?

Abdixhiku: Ne do të marrim pjesë, siç dhe kemi marrë pjesë deri më tani në secilën seancë të mundshme konstituive. Qëndrimi i koalicionit tonë, të shprehur në takime të shpeshta të grupit tonë parlamentar, është se ne nuk i votojmë kandidatët aktualë të PAN-it për kryeparlamentar e për kryeministër. Ne konsiderojmë se Kadri Veseli është figura më e papërshtatshme e mundshme nga të gjithë 120 deputetët në Parlament për të qenë bartës i institucionit më të lartë legjislativ.

Zëri: Partneri juaj i koalicionit, Behgjet Pacolli, u ka dhënë 10 ditë afat kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe Albin Kurtit nga LVV-ja që të merren vesh ta formojnë Qeverinë, mirëpo me deklaratat e fundit vetëm se po i “ndajnë rrugët” këto dy parti. A besoni se deputetët e z. Pacolli do ta përkrahin koalicionin PAN për t’i formuar institucionet qendrore?

Abdixhiku: LDK-ja nuk pranon e as nuk operon nën logjikën e ultimatumeve. Shikoni; çështja e luftimit të kapjes e të kapësve është çështje besimi. Ose e ke, ose s’e ke. Në qoftë se beson në projektin antikapje, atëherë s’ka gjë që të largon nga ky rrugëtim. Në të kundërtën, po s’besove, gjen pretekste e arsye nga më të ndryshmet. Por, mbi të gjitha ka një shkarje logjike në ultimatumet që kërkojnë ndërtimin e qeverisë anti-PDK, në të kundërtën shkojmë me PDK-në. 

Ne kemi garuar përpara qytetarëve tanë me ofertën se s’do të bëjmë koalicion, për asnjë çmim, me PDK-në. Dhe këtë platformë do ta ruajmë me shumë kujdes. Nëse dikush e ka ndarë mendjen të shkojë e t’i bëjë argat PDK-së e ka rrugën e hapur. Ne as nuk kontrabandojmë, as nuk kërcënojmë, e mbi të gjitha as që lëkundemi para premtimeve të qytetarëve. Natyrisht, ne do të donim të qëndronim unikë, siç kemi qenë gjithherë, e me kohë ta ndërtojmë edhe frontin anti-PDK.

Zëri: PAN-i ka “peshkuar” vetëm në koalicionin LAA, fillimisht deputeten Rugova, ndërsa tashmë flitet edhe për marrëveshjen me AKR-në. A është faji tek LDK-ja apo tek deputetët e caktuar që nuk po qëndrojnë në koalicionin parazgjedhor?

Abdixhiku: Secili deputet është i pjekur në moshë për t’i bartur përgjegjësitë individuale përballë votuesve të vet. Secili deputet është i pjekur në moshë për të qenë i vetëdijshëm për trashëgiminë politike që do ta lërë në emër të vet. Partitë politike kanë pak në dorë për ta parandaluar kontrabandën e deputetëve. Gjithsesi është një mësim i mirë, ani pse i shtrenjtë, për seleksionimet e listave për të ardhmen.

Bashkë me LVV-në fronti anti-PDK

Zëri: Keni deklaruar se duhet formuar një koalicion anti-PDK. Çka nënkuptoni me një koalicion të tillë?

Abdixhiku: Unë besoj se rreziku më i madh për Kosovën është vazhdimësia e prezencës së PDK-së në secilin format të mundshëm politik. Përballë një rrezikshmërie të tillë është e domosdoshme gjetja e alternativave bashkëpunuese me akterë të tjerë partiakë e jopartiakë. Këto alternativa bashkëpunuese natyrisht se nuk janë ideale, por në vete bartin gjithsesi rrezikshmëri më të ulët sesa vazhdimi i kapjes së PDK-së.  

Për bindjet e mia fronti anti-PDK do të nënkuptonte rreshtimin në një frymë të të gjitha partive politike që e ndajnë bindjen kundër kapjes, në radhë të parë LAA-ja e LVV-ja; si dhe ofrimin e akterëve të jashtëm jopartiakë, nga media, shoqëria civile e akademia, në përpjekje për ta ndaluar e për t’i dhënë fund politikës regresive të viteve të fundit.

Pavarësisht dallimeve programore që kemi me LVV-në, pavarësisht së shkuarës përplasëse që s’ka qenë fare e lehtë, përkundër orientimeve në kahje krejt të kundërta, në këtë periudhë për bindjet e mia është e domosdoshme bashkërenditja e aktiviteteve politike, sepse përballë kemi fatin e Republikës. Një qeverisje me PDK-në e në duar të Listës Serbe është shumë më problematike se secili dallim tjetër në mes nesh dhe LVV-së.

Zëri: Pse koalicioni LAA nuk bëri marrëveshje me LVV-në, pasi që i kishit 60 numra në Kuvend. Ku ishte problemi?

Abdixhiku: Udhëheqësit e partive respektive kanë zhvilluar disa takime. Ne kemi një relacion korrekt në Parlament. Natyrisht se duhet kohë për të ndërtuar mbi këtë relacion. Mos të harrojmë, LDK-ja dhe LVV-ja kanë kaluar nëpër një periudhë të rëndë përplasjeje dhe rikthimi në pikën bashkëpunuese kërkon kohë.