Vjen goditja më e madhe e Behgjet Pacollit ndaj PAN-it

Aktuale August 15, 2017 - 08:14

 

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë koalicioni PAN po e shkel Kushtetutën me bojkotin e saj.

Pacolli në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se çuditërisht tek ne, është Gjykata Kushtetuese që e thirrur për t’i zgjidhur krizat, i ka thelluar ato dhe ka krijuar pretekste për kriza të reja.

Lexoni të plotë postimin e Pacollit në Facebook:

“PAN, po e shkel Kushtetutën me bojkotin e saj

A po e shkel Kushtetutën PAN-i, me bojkotin e vet të zgjatur të seancave parlamentare?

Nëse do t’ i referohemi vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, PO, e ka shkelur. Lexoni përshembull Rastin nr. KO 29/2011, pikat 79, 80, 81, 82, 83 dhe 84. Në këtë vendim argumentohet mbi bazën e Kushtetutës, rregullores së Kuvendit pse deputeti duhet të marrë pjesë në seancat plenare dhe se mospërmbushja e këtij detyrimi, është shkelje e kushtetutës.

Pse e bën PAN-i këtë? A nuk është Kushtetuta e barabartë për të gjithë? Kjo situatë, na çon sërish në përfundimin se Gjykata Kushtetuese, e përdorur politikisht, nuk ka kurrfarë autoriteti. Kriza e sotme në Kosovë e ka një kapak gjoja kushtetues, që e ka nxitur atë. Çuditërisht tek ne, është Gjykata Kushtetuese që e thirrur për t’i zgjidhur krizat, i ka thelluar ato. Dhe ka krijuar pretekste për kriza të reja.

Përshembull, vendimi për ndërprerjen e mandatit tim në mars 2011 ishte ndërhyrje në veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës; vendimi për mosndërprerjen e mandatit të zonjës Jahjaga në korrik 2012, shkeli një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor;

Vendimi për mandatarin e krijimit të qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në korrik 2014, krijon pretekste për kriza të reja.

Ata që në këto 3 raste e përdorën Gjykatën Kushtetuese, sot as nuk duan ta përfillin vendimin e saj që e dënon bojkotin e seancave si antikushtetues. Keq valla !!!”. /Telegrafi/