QUINT-i kritikon PAN-in

Aktuale August 14, 2017 - 08:05

Përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar dje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në seancë dhe të lejojnë fillimin e punës së legjislativit. Ndërsa në seancën e sotme, ashtu si edhe herën e fundit, të vetmit që nuk do të marrin pjesë janë deputetët e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma)

Shtetet e QUINT-it në Kosovë, përmes një deklarate të përbashkët, u kanë bërë thirrje deputetëve të cilët nuk po marrin pjesë në seancat e thirrura nga kryesuesi i Kuvendit që të ndërprenë këtë barrikadim dhe të lejojnë fillimin e punës së tij. “Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë fillimin e punës së saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre. Pavarësisht thirrjes së QUINT-it, koalicioni PAN nuk e ka ndërmend që të marrë pjesë as në seancën e sotme të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci.

Ata kanë thënë se PAN-i nuk do të marrë pjesë në asnjë seancë pa takime paraprake konsultative. Fjalë jo të buta për ndërkombëtarët këto ditë ka pasur edhe kryeministri Mustafa. Ai ka thënë se ata janë më shumë të interesuar për stabilitet, qoftë ai i menaxhuar nga krimi, sesa për një qeverisje e cila në mënyrë të pavarur lufton krimin.

Në anën tjetër, analistët politikë pavarësisht faktit që thonë se PAN-i me mbështetjen e Behgjet Pacollit do të mundë t’i bëjë institucionet, preferojnë zgjedhjet e reja për shkak të “numrave të paktë” që kjo Qeveri do t’i ketë.

Sfidat afatgjate të Kosovës dhe papërgjegjësia e liderëve

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it të akredituara në Prishtinë u kanë bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seanca. Sipas tyre, situata politike në Kosovë është bërë brengosëse dhe humbjet janë të mëdha. “Jemi të brengosur me situatën politike në Kosovë. Kosova është duke u ballafaquar me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, perspektivën evropiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë një Kuvend dhe një Qeveri për t’u ballafaquar me këto sfida”, thuhet në deklaratën e QUINT-it. Më tej, ata thonë se është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë këto institucione, por edhe t’i ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.

“Shpresojmë që liderët kosovarë si në politikë, ashtu edhe në shoqërinë civile, do të prijnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje duke ofruar propozime konkrete. Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë fillimin e punës së saj”, përfundon deklarata e QUINT-it.

Lekaj: Qeveria së shpejti, ajo do të jetë stabile

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj, i ka thënë gazetës “Zëri” se me aktivizimin e liderit të AKR-së është krijuar një momentum i ri politik, i cili do të bëjë që të formohet edhe një qeveri stabile shumë shpejt. “Këtë momentum të krijuar nga AKR-ja duhet vlerësuar e sidomos pozicionimin e zotëri Pacollit për të ardhur deri te zgjidhja dhe për ta zhbllokuar situatën politike”, ka thënë Lekaj.

Më tej Lekaj ka shtuar se ajo çka është më kryesorja në gjithë këtë ka të bëjë me ecjen e sigurt të Kosovës përpara.

“Një qeveri kredibile dhe stabile i duhet vendit për të arritur disa tema, të cilat deri më tani asnjë Qeveri s’i ka kryer. Qeveria do të jetë stabile, tani me 61 apo më shumë, a me 70 plus, kjo është temë e kandidadit për kryeministër dhe e partnerëve të PAN-it”, ka thënë ai. Më tej Lekaj ka thënë se PAN-i nuk do të marrë pjesë në asnjë seancë të Kuvendit pa konsultimin paraprak mes partive politike. Më tutje zyrtari i AAK-së ka thënë se Haradinaj ka punuar për një Qeveri me bazë të gjerë, por kjo varet edhe nga partitë tjera dhe nga serioziteti i tyre.

“Të themi që një qeveri e cila e ka një bazë më të gjerë sesa vetëm PAN- i me disa deputetë ndoshta do të ishte më lehtë për t’u arritur disa gjëra. Haradinaj ka punuar që të kemi një Qeveri me spektër më të gjerë, por kjo varet nga subjektet tjera politike sa e marrin me seriozitet situatën për krijimin e institucioneve”, ka thënë ai.

Mustafa: Në asnjë rrethanë nuk bëjmë koalicion me PDK-në

Kryeministri në largim Isa Mustafa ka lëshuar disa deklarata të ashpra karshi koalicionit PAN, lëvizjes “Vetëvendosje”, por nuk ka amnistuar as ndërkombëtarët. Sipas kryeministrit, ata që organizuan të gjitha këto pisllëqe dhe komplote kërkojnë që LDK-ja t’u bashkëngjitet për t’i bërë institucionet. “Bile edhe po kanë fytyrë (të pafytyrët) të fajësojnë LDK-në se ajo qenka tani bllokuesja”, ka thënë Mustafa në një shkrim të tij në “Facebook”. Më tej, kryeministri e ka bërë të qartë se LDK-ja në asnjë rrethanë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në në qeverisje qendrore. Sipas tij, edhe ndërkombëtarët e kanë pasur rolin e tyre në situatën aktuale politike.

“U vërejt që edhe ndërkombëtarët, të cilët e kanë plot gojën luftë kundër krimit dhe korrupsionit, se në fakt janë më shumë të interesuar për stabilitet, qoftë ai i menaxhuar nga krimi sesa për një qeverisje e cila në mënyrë të pavarur lufton krimin. Prandaj edhe ndodhi kjo që ndodhi”, ka thënë ai. Krejt në fund ai ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me lëvizjen “Vetëvendosje”. “Sa i përket ‘Vetëvendosjes’, do të kërkojmë që t’i qartësojnë qëndrimet e tyre për shumë akuza, sulme dhe veprime të dhunshme, por edhe për çështjet programore. Në ditët në vijim do t’i adresojmë çështjet specifike”, ka thënë ai.

Paçarizi: Qeveria e varur nga serbët nuk është e qëndrueshme

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Rrahman Paçarizi, ka thënë se një Qeveri e cila do të varej nga votat e Listës Serbe nuk do të ishte e qëndrueshme.

“Natyrisht, unë vazhdoj të mendoj se një Qeveri kur votat e Listës Serbe janë vendimtare nuk do të jetë e qëndrueshme”, ka thënë Paçarizi.

Më tej Paçarizi ka shtuar se edhe ripozicionimi i ri i Pacollit ka qenë i pritur, pasi që është i vetmi të cilit nuk do t’i shkonin për shtati zgjedhjet e reja.

“Tani, pozicionimi i ri i Pacollit dhe përpjekja për t'u rifaktorizuar është normale, meqë është i vetmi subjekt të cilit nuk i përgjigjet rishpallja e zgjedhjeve të reja dhe përpiqet të mbetet brenda. Pacolli nuk njihet për konsistencë politike, prandaj nuk është se humb aq në procesin e makinacioneve dhe të numrave. Por, gjithsesi shkuarja e tij kah PAN-i është shumë e mundshme përderisa partnerët e bllokut tjetër nuk i kanë ofruar sa mund të marrë këndej”, ka thënë ai.

Më tej profesori universitar ka thënë se zvarritja i ka dy arsyetime varësisht se për cilin nga blloqet politike bëhet fjalë.

Paçarizi ka thënë se po shihet qartë që PAN-i po ka vështirësi me krijimin e numrave, kurse blloku tjetër nuk është më mirë dhe në mungesë numrash për t'u imponuar si faktor për ta bërë Qeverinë po blen kohën, duke nxjerrë nga arkivat arsye e shkasë për grindje ndërmjet vete.

Në anën tjetër, politikologu Murat Aliu i ka thënë “Zërit” se këto lojëra në prapaskena dhe këto populizma që na shpërfaqen nga partitë politike nuk janë gjë përveçse mungesë e kulturës elementare demokratike, por mbi të gjitha mungesë e pasjes së një vizioni dhe koncepti të qartë për shtetin e Kosovës. 

“Duhet të kemi parasysh se gjithë kjo gamë lojërash, populizmash dhe disharmonish në qëndrime politike dëmton shtetin dhe qytetarët e Kosovës si në rrafshin ndërkombëtar, po ashtu edhe në rrafshin kombëtar. Pra, nga i gjithë ky proces pëson imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe populli i Kosovës kur bëhet fjalë për, p.sh. zhvillimi ekonomik, shteti i së drejtës, etj”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, Aliu ka thënë se qëndrimi i kryetarit të AKR-së në parim politikisht duket korrekt dhe mendon se është në frymën e etatiste.

“Me ‘ultimatumin’ që ua dha LVV-së dhe LDK-së dhe me kërkesën për qartësim të pozicioneve të tyre politike kur bëhet fjalë për formimin e Qeverisë, Pacolli bëri të ditur se ekziston mundësia për një koalicionim të mundshëm mes AKR-së me PAN-in”, shtoi ai.

Më tej, sa i përket çështjes se sa i qëndrueshëm mundë të jetë një koalicion qeveritar mes PAN-it dhe AKR-së, Aliu ka thënë se ky koalicion shanset për të bërë më tepër për vetë Kosovën i ka shumë të vogla.

“Kjo për të vetmen arsye se një Qeveri ku do të bëjnë pjesë katër parti politike shqiptare, plus Lista Serbe vështirë se mund të marrë vendime të mëdha për shtetin e Kosovës. Por edhe nëse supozojmë që kjo Qeveri arrin të mbijetojë për një kohë më të gjatë do të arrijë në sajë të interesave grupore apo partiake”, ka përfunduar ai.

Ismajli: Bllokada do të jetë fatale për PDK-në

Profesori i politikave ndërkombëtare, Dashnim Ismajli, njëkohësisht njohës i rrethanave politike në Kosovë, ka thënë se PDK-ja nuk duhet t’i mbajë peng proceset dhe të luajë rolin kyç në ndërtimin e institucioneve politike. “Ky rol ‘i playerit’ vendimtar nga PDK-ja ka rënë në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e fundit.

Andaj mendoj se çdo tentativë për t’i mbajtur peng institucionet, për t’i shantazhuar dhe për t’i stërzgjatur proceset do të rrisë frymën kritike nga qytetari, që në rast të organizimit të zgjedhjeve të reja do të ishin fatale edhe për vetë këto parti, respektivisht për PDK-në dhe për AAK-në”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, vazhdimi i seancës duhet të caktohet sa më shpejt, mirëpo kjo seancë duhet të thirret vetëm atëherë kur partitë politike të kenë arritur konsensusin politik për konstituimin e legjislativit. “Mendoj se edhe presidenti duhet të luajë rolin e tij në bazë të funksioneve që garanton Kushtetuta për të vepruar politikisht duke bashkëpunuar me liderët politikë në gjetjen e zgjidhjes relevante në ndërtimin e institucioneve politike dhe të mos rrezikohet që vendi të futet në krizë institucionale”, ka përfunduar Ismajli.

 

Citat 2:

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike në vend Rrahman Paçarizi, ka thënë se një Qeveri e cila do të varej nga votat e Listës Serbe nuk do të ishte e qëndrueshme. “Natyrisht, unë vazhdoj të mendoj se një Qeveri kur votat e Listës Serbe janë vendimtare nuk do të jetë e qëndrueshme”, ka thënë Paçarizi.