Ahmeti thotë se thirrja e Quintit sot ishte për PAN-in

Aktuale August 13, 2017 - 23:06

Sipas kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se thirrja e ambasadorëve të vendeve të Quint-it sot është e drejtuar kah koalicioni parazgjedhor.

“Quinti i bën thirrje PAN-it me shku në seancë nesër. Mos e zhagitni më. Numrat nuk janë, vazhdojmë me opsione tjera, mos e bllokoni Kosovën”, ka thënë Ahmeti në një postim të tij në Facebook.

“Leni edhe shpifjet ndaj komunës së Prishtinës se nuk ju ndihmojnë. Nuk ka kohë Kosova me prit”, ka shtuar më tej.

Kujtojmë se sot, përmes një komunikate për media, vendet e Quintit kanë shprehur brengën e tyre në lidhje me situatën politike në Kosovë.

Kosova, sipas kësaj deklarate, është duke u ballafaquar me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, perspektivën evropiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një Kuvend dhe Qeveri për t’u ballafaquar me këto sfida”, thuhet mes tjerash në deklaratën e shteteve të Quintit, raporton Koha.net.

“Është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë këto institucione por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen. Shpresojmë që liderët kosovarë, si në politikë ashtu edhe në shoqërinë civile, do të prijnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje duke ofruar propozime konkrete. Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë fillimin e punës së saj”, ka përfunduar komunikata e shteteve të Quintit, e dërguar nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Në këtë grup, të njohur si Quint, bëjnë pjesë: SHBA, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.