Krasniqi: PAN-i nuk merr pjesë në seancën e nesërme

Aktuale August 13, 2017 - 20:23

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se deputetët e koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN), nuk do të marrin pjesë as në seancën e nesërme, duke e rikonfirmuar kështu qëndrimin e tyre të bërë pas mbajtjes së takimit konsultativ gjatë ditës së enjte të kësaj jave.

“Përderisa do të injorohen konsultimet për përcaktim të dakorduar të datës së seancës, ne nuk do të marrim pjesë në çfarëdo seance”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Gjithashtu, sipas këtij të fundit, është pikërisht kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës i cili po përdoret nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

“Neve na vjen keq që Adem Mikullovci po keqpërdoret nga partia e tij, në tentim për të imponuar mentalitetin autoritar edhe në institucionin më të lartë të vendit”, ka shtuar Krasniqi.