Bahtiri flet për formimin e institucioneve, thotë se nuk e presin pafundësisht LDK-në

Aktuale August 12, 2017 - 21:24

Agim Bahtiri i Aleancës Kosova e Re, thotë se ata nuk do të presin deri në pafundësi Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij, për shkak të tekeve personale po mohon krijimin e institucioneve të vendit.

“Pas të gjitha bisedave që kam pas, problemi është te Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Isa Mustafën, e cila nuk po rezulton pozitiv në formimin e këtij grupi pune për të mirën e vendit”, tha Bahtiri për televizionin 21.

“Pakënaqësitë e mija janë që LDK’ja nuk dëshiron të bisedojë me Albin Kurtin, me VV’në dhe kjo është e papranueshme. Është shumë e papranueshme dhe kjo është ajo për të cilën unë e ftoj edhe sot LDK’në që të afrohet me Albinin të bisedohet dhe të bëhet një model se si të dalim prej kësaj situate”, theksoi ai.

“Ne si AKR kemi qenë besnik ndaj  koalicionit tonë por nuk mund të jemi përgjithmonë të varur nga dikush i cili i ka teket e veta për themelimin apo për ngritjen e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nuk mundemi ne për teke personale të shkojmë në pafundësi. Ne ju kemi dhënë afat 10 ditë. Nëse nuk reagojnë atëher ne si parti do të ulemi të bisedojmë dhe do të marrim një vendim të përbashkët”, tha Bahtiri.