Inatet politike bllokojnë institucionet (VIDEO)

Aktuale August 12, 2017 - 20:42

Takimi konsultativ i partive politike në vend, nuk ka sjellë ndonjë rezultat për ta zgjidhur situatën e krijuar rreth konstituimit të institucioneve të reja.
Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj në takimin konsultativ kishte deklaruar se deputetët e tij nuk do të marrin pjesë në seancën e së enjtes të thirrur nga Mikullovci dhe ashtu ndodhi.
Avdullah Hoti, përfaqësues i koalicionit të kryesuar nga LAA-ja, i kishte bërë thirrje PAN-it që të marrë pjesë në seancën e thirrur për të enjten, në mënyrë që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe mos t’i bllokojnë institucionet.
Profesori i Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, tha për Tribuna Channel se zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një situatë, ku pozita dhe opozita kanë nga 60 vota secila, prandaj në këtë mënyrë janë krijuar animozitete, inate politike dhe dëshira për pushtet nga të gjitha anët.
Baraliu po ashtu tha se në një situatë të tillë kur kemi vakum institucional, do të duhej të kishte nisma nga presidenti dhe kryeministri në drejtim të Gjykatës Kushtetuese për t’i sqaruar nenet e kushtetues.

Kurse hulumtuesi i lartë në KDI Artan Murati tha se kryesuesi i seancës Adem Mikullovci mbi bazën kushtetuese ka të drejtë ta thërras seancën sa herë të dëshiroj, por mos dakordimi i gjitha palëve mes vete për caktimin e datës së seancës po e krijon këtë situatë të bllokadës institucionale.

Kujtojmë se në vitin 2014 për shkak inateve politike kemi pasur bllokadë institucionale për gjashtë muaj rresht.