Nxehet gara për Prishtinën

Aktuale August 12, 2017 - 11:43

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, do ta ketë një prej sfidave më të mëdha me 22 tetor, ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale.

I votuar edhe për një mandat që të jetë kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për të parin e kryeqytetit, Ahmeti do të ketë disa kundërkandidat mjaftë interesant përball.

Duelin kryesor për kryeqytetin Ahmeti pritet ta zhvilloj me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, transmeton zeri.info.

Kjo e fundit ende nuk e ka zyrtarizuar emrin e kandidatit të saj për këtë pozitë, megjithatë janë dy emrat të cilët lakohen më së shumti. E para, deputetja më e votuar e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kurse tjetri është ish kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri.

Cilindo që LDK-ja vendos ta kandidoj për kryetar të kryeqytetit, pritet që t’i shkaktoj kokëçarje kandidatit të “Vetëvendosjes”.

Me një kandidat më të fortë sesa herëve të tjera pritet që të dal edhe Partia Demokratike e Kosovës, transmeton zeri.info.

Nga kjo parti, e cila ka nisur një fushatë kundër kryetarit aktual të Prishtinës, është përfolur emri i Blerand Stavilecit si figura e cila do të sfidoj Ahmetin.

Kurse sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka zyrtarizuar kandidatin e saj. AAK i ka besuar të porsaaderuarit Arbër Vllahiut kandidaturën për kryeqytetin.

Me 22 tetor, në të shumtën e komunave të Kosovës, gara pritet të jetë e fortë dhe e paparashikueshme, por, gara më e nxehtë, duket se do të ndodhi pikërisht në kryeqytet, ku kryetari aktual Shpend Ahmeti, do të ketë përballë figura interesante të cilat edhe mund t’ia prishin llogarit, transmeton zeri.info.

Megjithatë, se a do t’i mjaftojnë Ahmetit punët e bëra gjatë mandatit të tij për të siguruar edhe një mandat në postin e parit të kryeqytetit, apo votuesit do të kenë të tjera ide, kjo mbetet të shihet vetëm me 22 tetor, kur ata do t’i drejtohen kutive të votimit./Zeri./