Mikullovci: Zvarritja e PAN-it, e qëllimshme

Aktuale August 11, 2017 - 15:32

Kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci, ka thënë se nuk do të ketë më mbledhje konsultative për ta caktuar seancën.

“Konsultime më nuk ka”, ka deklaruar Mikullovci gjatë një bisede për “Zërin”.

Ai më tej ka konsideruar se koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) është duke e zvarritur qëllimisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve.

Kjo pasi PAN-i ose nuk i ka numrat, ose ka probleme serioze brenda vetë koalicionit.

“Ky është kalkulim, bllokim, zvarritje me qëllim derisa ose nuk i kanë numrat, ose kanë  mosmarrëveshje mes vete si koalicion”, ka shtuar ai për "Zerin".

Më tutje 77-vjeçari ka konsideruar se një zvarritje e tillë mund të vazhdojë deri në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen pas dy muajsh.

“Unë mendoj që punën do ta zvarrisin ndoshta deri në zgjedhjet lokale. Ky është mendimi im, ndoshta edhe i gabueshëm. Njëra ndër ato, ekziston mundësia që nuk i kanë edhe ata një ose dy numra sa u duhen. Ekziston mundësia që edhe vetë koalicionit mes vete u ka hyrë përçarja, s’po mund të merren vesh për të ardhmen në ndarjen e posteve”, ka shtuar ai gjatë bisedës.

Ndërkohë ka konsideruar se bllokada mund të zgjasë edhe më shumë. Kjo pasi që, siç ai është shprehur, Kushtetuta e Kosovës ka mangësi të shumta.

“Kushtetuta kishte mangësi të mëdha, s’e kam ditur. Unë nuk e di deri kur mund të zgjasë kjo punë kështu. Kjo mund të zgjasë me muaj, në pafundësi. Unë atëherë nuk jam jurist, nuk jam profesionist, nuk e njoh Kushtetutën aq mirë, kështu që nuk kam përgjigje”, ka nënvizuar ai./ZERI/.