Mikullovci: Veprimi i PAN-it e dëmton jashtëzakonisht Kosovën

Aktuale August 11, 2017 - 13:01

Deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës Adem Mikullovci, ka konsideruar se vendimi i PAN-it që ta bojkotojë seancën e dëmton tej mase Republikën e Kosovës.

“Po e dëmtojnë Kosovën jashtëzakonisht shumë. Kanë bllokuar të gjitha resurset shtetërore. Janë njerëz të paskrupullt, qe 18 vjet janë duke vepruar në këtë mënyrë”, ka potencuar Mikullovci, për "Zeri.info".

Ndërkohë është shprehur i bindur se edhe atyre së shpejti do t’u vijë fundi.

“Por le ta dinë nga Adem Mikullovci që çdo e keqe, dashur e padashur, e ka fundin e vet. Fundi u ka ardhur”, është shprehur ai më tej.

Mikullovci ka folur edhe për akuzat e PAN-it në drejtim të tij, që kinse ai po e keqpërdor pozitën e kryesuesit. Me këtë rast deputeti më i moshuar i Kuvendit ka thënë se një gjë e tillë është krejtësisht e pavërtetë. Madje ka bërë të ditur se asnjë seancë nuk është caktuar pa konsultim me të gjitha partitë, shkruan "Zeri.info".

“Nuk është e vërtetë aspak, urdhëroni shkoni, për çdo mbledhje e gjeni çdo nënshkrim të përfaqësuesve të tjerë të partive politike. Unë asnjë seancë nuk e kam caktuar pa u konsultuar me ta, me vetë PAN-in, me vetë Enverin”, ka shtuar ai.

Madje Mikullovci është shprehur i bindur se përfaqësuesit e PAN-it po gënjejnë në mënyrën më të keqe të mundshme lidhur me këtë çështje.

“Ata po rrejnë kështu, në mënyrë të paskrupullt”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, i pyetur nëse ai personalisht do ta votojë apo jo kandidatin e koalicionit PDK-AAK-Nisma për kryeparlamentar, Kadri Veselin, duke mos pohuar e as mohuar, ka thënë se vota e tij është e drejta e tij personale.

“Kë e votoj, kë s’e votoj ajo është e drejta ime”, ka potencuar Mikullovci./Zeri/.