Konjufca ia tërheq vërejtjen PAN’it për Adem Mikullovcin

Aktuale August 10, 2017 - 13:23

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka akuzuar koalicionin PAN se qëllimisht nuk po merr pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, pasi që nuk i ka numrat dhe dëshiron që veç e veç t’iu qaset deputetëve për t’ua ndryshuar mendimin politik.

Ai në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, tha se koalicioni PAN duhet të marrë përgjegjësi politike për shkak të bojkotimit të Kuvendit të Kosovës.

“Është e pashembullt që ai që u thotë vetes fitues të zgjedhjeve dhe u takon propozimi për kryetarin nuk vijmë në Kuvend. Nuk i kane numrat. Nuk po duan assesi të dalin në opozitë. Na kanë lodhur duke përmendur se janë fitues të zgjedhjeve dhe i kanë votat. Nëse janë të vërteta atëherë pse PAN nuk është në Kuvend”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij kjo situatë është krijuar edhe si pasojë e një vendimi të Gjykatës kushtetuese sipas të cilit zgjedhja e kryetarit duhet të jetë prej atyre që ka numrin më të madh të votave.

“Ata që pafundësisht po vazhdojnë ta bojkotojnë kuvendin duhet të marrin përgjegjësi morale dhe politike pse po e mbajnë peng. PAN në mënyrë të paskrupullt ka sulmuar kryesuesin e kësaj seance Adem Mikullovci. Ne shprehim mospajtimin dhe jemi të indinjuar që në mënyrë kaq të paskrupullt të sulmojnë Adem Mikullovcin. Nuk mund askush ta ketë drejtën e vetos mbi vazhdimin e kësaj seance. Strategjia e PAN ka qëllim për të marrë kohë që t’iu qasen veç e veç deputetëve që ata ua kanë mësyrë për t’ua ndërruar mendimin e tyre politik. Të blihet kohë të takojnë deputetët kafeneve që më presion dhe shantazh t’i bindin ta votojnë një kandidat të papëlqyer për kryetar të Kuvendit. Ne e dënojmë këtë praktikë”, ka thënë Konjufca.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje bën thirrje për themelimin sa më të shpejtë të Kuvendit, ndërsa PAN ta ndërpresë bojkotin dhe ta propozoj kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Rregullat e demokracisë thonë se kur nuk i ke votat duhet të bësh kompromis. Kompromisi që po ua kërkojmë është të mos e qesin një kandidat që për shumicën është i papranueshëm. Nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhja e një kryetari tjetër përveç Kadri Veselit. Institucionet nuk mund të mbahen të bllokuara”, ka thënë Konjufca.