PAN-i tregon se kur merr pjesë në seancë

Aktuale August 10, 2017 - 11:56

Koalicion PAN nuk e ka përjashtuar mundësinë që të jetë pjesëmarrës në seancën e javës së ardhshme, nëse e njëjta caktohet të mbahet, me kushtet e tyre të cilat i bënë të ditura në takimin e djeshëm konsultativ me shefat e grupeve parlamentare. Ndërkaq, seanca e sotme u mbyll nga kryesuesi i Kuvendit për shkak se nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për ta vazhduar atë. Enver Hoxhaj nga PDK-ja thotë se qëndrojnë pas asaj që i kanë thënë rreth seancës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë të enjten për Express se do të bëhen pjesë e seancës vetëm, sipas atyre, që i kanë bërë tashmë të ditura.

Deputetë të koalicionit PAN kanë kërkuar ditën e djeshme që të mërkurën e ardhshme të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ dhe vetëm atëherë edhe të caktohet seanca.

Për këtë zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se qëndrimi i tyre është dhënë dhe asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo.

“… Dje e kemi thënë qëndrimin tonë dhe asgjë nuk ka ndryshuar që nga dje”, është shprehur Hoxhaj për Express.

Seanca e thirrur për sot, e cila filloi në orën 10:00, zgjati vetëm pak minuta, pasi PAN-i e ka bojkotuar pjesëmarrjen e tyre me arsyetimin se vendimi për mbajtjen e seancës është bërë njëanshëm.

Nga ana tjetër, zyrtarë të LAA-së i kanë bërë thirrje koalicionit PAN që të bëhen pjesë e seancës duke e propozuar edhe kandidatin e tyre për kryeparlamentar. Vetëvendosje ka kërkuar nga PAN-i që të nxjerrë në votim një kandidat për kryeparlamentar, por ai të mos jetë Kadri Veseli.

Pas përmbylljes së seancës se sotme, kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, tha se do të bëhet e ditur edhe data tjetër për mbajtjen e seancës së radhës.