Takimi që zyrtarizoi krizën

Aktuale August 09, 2017 - 13:26

Takimi konsultativ i partive politike në Kosovë nuk ka sjellë ndonjë rezultat për ta zgjidhur bllokadën që është krijuar rreth konstituimit të institucioneve të reja.

Në takim, përveç subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, kanë qenë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

Takimi është zhvilluar me akuza e kundërakuza ndërmjet kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, përfaqësuesve të koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas [PAN] dhe zyrtarëve të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës [LAA].

Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, ka thënë se PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e së enjtes, të cilën e ka thirrur zoti Mikullovci.

"Është e qartë se fuqia politike për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, post i cili i takon koalicionit PAN, është në anën tonë dhe kjo ka të bëjë më legjitimitetin qytetar, dhe ne këtë të drejtë do ta ushtrojmë. Ne do të sillemi në kuadër të këtyre dy parametrave, edhe të fuqisë tonë politike, edhe të së drejtës për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendi".

"Kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës do të jetë Kadri Veseli, dhe zgjedhja e tij është e pandalshme".

"Dua të njoftoj se ne nuk do të marrim pjesë në seancën konstituive, përderisa nuk respektohet vullneti i subjekteve politike", ka thënë Hoxhaj.

Nga ana tjetër, Avdullah Hoti, përfaqësues i koalicionit LAA, i ka bërë thirrje PAN-it që të marrë pjesë në seancën e thirrur për të enjten, në mënyrë që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se është obligim para qytetarëve të vendit që të krijohen institucionet e reja të Kosovës.

“Ju jeni pakicë, është e pamundur që të krijoni Qeverinë në tri seanca, nuk e di ku na dërgon kjo rrugë dhe ky qëndrim që jeni duke mbajtur. Që të jeni të përgjegjshëm politikisht, kjo nënkupton që ju nesër të paraqiteni në seancë dhe të propozoni kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ose të dilni para seancës së Kuvendit dhe të thoni se nuk e kemi shumicën e nevojshme për konstituimin e institucioneve të vendit”, ka thënë Hoti.

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se deputetët e subjektit të tij e mbështesin krijimin e institucioneve dhe nuk do të bllokojnë proceset.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë kërkuar që seanca e së enjtes të shtyhet për javën e ardhshme dhe që paraprakisht të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ. Një propozim i tillë është kundërshtuar nga LAA, duke thënë se koalicioni PAN po tregon "papërgjegjësi dhe joseriozitet".

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se kërkesa për shtyrje të seancës është në funksion të synimeve të PAN-it "për të blerë kohë".

"Kjo nuk është në rregull, për arsyen se kjo është në funksion të qëllimeve të koalicionit PAN për të blerë kohë aq sa është e mundshme, derisa ata t'i përmbyllin pazaret e tyre që i kanë filluar veç e veç, qoftë me Teuta Rugovën, qoftë me deputetët e tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët ata duan t'i blejnë", ka thënë Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryesuesi i seancës konstituive ka thënë se seanca e thirrur për të enjten nuk mund të shtyhet.