Aktuale

Fillon protesta kundër Jabllanoviqit në Gjakovë

Fillon protesta kundër Jabllanoviqit në Gjakovë
17 janar 2015 • 14 : 14

Qindra qytetar janë mbledhur në parkun e qytetit të Gjakovës për të protestuar kundër deklaratave të ministrit Jabllanoviq. Ato po bartin pankarta me mbishkrime “Lista Srbska shporru”, “O me popullin o me Jabllanoviqin, “Jemi kundër fashizmit” dhe shumë mbishkrime tjera.

Turma është duke vazhduar në rrugët e qytetit, ndërkohë në mesin e protestuesve janë edhe ish kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, deputetja e AAK-së, Donika Kada-Bujupi, Visar Ymeri nga Vetëvendosje, drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Arberie Nagafci dhe përfaqësues të tjerë politike e institucional.

Edhe në këtë protestë po i kërkohet kryeministrit Isa Mustafa, shkarkimi i ministrit, Jabllanoviq. Ministri që është emëruar në këtë pozitë, si rezultat i koalicionit që PDK-ja dhe LDK-ja kanë me Listën Srpska, protestuesit e 6 janarit, kryesisht nëna të personave të zhdukur gjatë luftës i pati quajtur egërsira, përcjell koha.net.

Ai ka irrituar edhe më shumë qytetarët e Kosovës, kur duke u munduar ta arsyetojë vetën deklaroi se nuk ka qenë në dijeni për masakrat që janë kryer në Gjakovë gjatë luftës.

Protestë kundër tij ka pasur edhe para ndërtesës së ministrisë që ai e drejton, e cila dje eskaloi kur policia me forcë shpërndau protestuesit, kryesisht aktivistë të Vetëvendosjes. Si rezultat disa persona u lënduan, në mesin e tyre edhe policë. Gjatë aksionit policia arrestoi 22 protestues. 7 të arrestuarve iu caktua masa e arrestit prej 48 orësh, ndërsa të tjerët u liruan.

Kundër Jabllanoviqit dhe me kërkesën për shkarkimin e tij u protesta edhe në Pejë.

 

© zëri.info