Donika Kadaj-Bujupi: Thaçi dhe Stavileci të lidhur me mafian serbe të energjisë

Aktuale August 01, 2017 - 12:21

Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti konferencë për media me ç’rast njoftoi qytetarët për ‘kolapsin energjetik’ që po i pret.

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Vetëvendosjes Donika Kadaj Bujupi, tha se Kosova është e rrezikuar nga një krizë energjetike në ditët në vijim, raporton “Zeri.info”.

”Ministria përgjegjëse e ministrit në ikje Blerand Stavilevci, i cili edhe pse ka pasur në vazhdimësi pyetje parlamentare, debat kërkesa edhe në seanca edhe në komisione, asnjëherë nuk ka vepruar në drejtim të krizës ose të implementimit të ligjit e sot si pasojë jemi pranë një kolapsi energjetik” tha Kadaj Bujupi.

Ajo fajëson udhëheqësin e Qeverisë së tanishme për gjendjen e krijuar.

”Hashim Thaçi dhe Blerand Stavileci vazhdojnë të jenë kundër të gjitha ndërmarrjeve publike prodhuese. Ata në vazhdimësi kanë qenë shkaktar të krijimit të avarive të ndryshme çoftë në prodhim, çoftë në miniera me qëllim të rritjes së importit të energjisë elektrike, duke e marr parasysh që janë të lidhura me mafien energjetike në rajon kryesisht me njerëz që vinë nga Serbia”, shtoi ajo.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje pasojat e këtij kolapsi do të jenë të shumta sepse për shumë më pak energji elektrike do të paguajmë shumë më shumë, do të kemi reduktime të gjata nga të cilat do të goditen bizneset e kryesisht bizneset të cilat prodhojnë, pra prodhimtarit, gjithashtu do të goditen amvisëritë të cilët do të paguajnë shumë më shumë etj.

Më 17 mars të vitit 2017, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar mocionin për interpelancë, me qëllim të trajtimit të mungesës së thëngjillit dhe me theks të veçantë të minierës së Sibovcit./Zeri/.