Kadaj-Bujupi: VV s’ka votë për Haradinajn

Aktuale August 01, 2017 - 10:29

Deputeteja e Vetëvendosjes Donika Kadaj ka thënë për “Zërin” se asnjë deputet i LVV nuk  do ta votojë Haradinajn për kryeministër, por përkundrazi siç tha ajo do ta kundërshtojnë këtë qeveri, siç e quajti ajo, me mendësi të korruptuar.

 “Konsiderojmë se ky koncepti i kontrabandimit të deputetëve nuk do të prodhojë asgjë tjetër përveçse do të vazhdojë një qeveri eventuale nëse arrin ta bëjë me një mendësi të korruptuar dhe kriminale siç është edhe vetë klani pronto nën ombrellën e të cilit vepron tani edhe z. Haradinaj. Prandaj, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë asnjë përkrahje, përkundrazi deputetët e LVV janë shumë, 32 dhe janë të angazhuar fuqishëm që vullnetin e qytetarëve të 11 qershorit ta përkthejnë në ndryshim edhe në parlament edhe në qeveri, sepse ky ka qenë vullneti i popullit. Dihet që Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i madh politik në vend dhe si të tillë pavarësisht zvarritjeve edhe përpjekjeve për kontrabandë konsiderojmë që shumë shpejt ne do të jemi në institucione”, tha Kadaj-Bujupi.

Ndërsa e pyetur për veprimet e LVV-së në rast se presidenti Hashim Thaçi nuk ua jep mundësinë e mandatarit të dytë, ajo tha se presidenti do të përballet me kushtetutën dhe protestat gjithë popullore që do t’i organizojë LVV.

 “Çfarëdo përpjekje e ikjes së presidentit ndaj përgjegjësive dhe ndaj dhënies së mundësisë z. Kurti për ta formuar qeverinë do ta dërgojë atë në gjykatë kushtetuese dhe po ashtu do të merr përgjigjen  e duhur përmes protestave gjithë popullore të cilat do të organizohen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga populli të cilët e përkrahën z. Kurti që të jetë kryeministër i vendit”, ka thënë ajo./ZERI