Katër deputetë mbetën pa u regjistruar

Aktuale August 01, 2017 - 08:03

Numri i deputetëve të regjistruar të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës tashmë ka arritur në 116. Me këtë rast, ndonëse regjistrimi ka nisur qysh ditën e mërkurë të javës së shkuar, gjatë ditës së djeshme këtë obligim e kanë kryer vetëm katër nga tetë deputetët e mbetur. Kështu që nga 120 deputetë gjithsej, edhe katër të tjerë kanë mbetur pa u regjistruar, në mesin e tyre edhe i nominuari për kryeministër nga lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, shkruan sot, gazeta Zeri.

Gjatë ditës së djeshme në mesin e të regjistruarve ka qenë edhe lideri i Nismës për Kosovën nga radhët e koalicionit PAN, Fatmir Limaj. 

Ai me këtë rast ka konsideruar se vendi sa më parë duhet t’i krijojë institucionet.

“Vendi ka nevojë sa më shpejt t’i ndërtojë institucionet me qëllim që të merren përgjegjësitë për kryerjen e obligimeve. Në këtë mënyrë ta funksionalizojmë programin, të cilin e kemi shpalosur tashmë në zgjedhjet e 11 qershorit”, ka deklaruar Limaj pas kryerjes së procedurave në hollin e Kuvendit.

Ndërkohë ai nuk ka treguar se çfarë posti do të marrë në momentin kur do të krijohet Qeveria.

E ndonëse regjistrimi i liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurti ishte paraparë për ditën e djeshme, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, Kurti pritet të regjistrohet gjatë ditës së sotme, me fillim të orës 9:00.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Zërin” edhe zëdhënësi i këtij subjekti, Shkodran Hoti, i cili ka thënë se Kurti pritet të regjistrohet sot.

“Nesër në orën 9:00 regjistrohet Albin Kurti”, ka thënë ai shkurt për “Zërin”.

Nga ana tjetër, Zyra për Informim e Kuvendit ka njoftuar se katër deputetët e tjerë që kanë mbetur pa u regjistruar do t’i kryejnë procedurat ditët e ardhshme.

“Katër deputetë të tjerë kanë kryer sot këtë procedurë, duke rritur kështu numrin e të regjistruarve në 116. Regjistrimi i deputetëve të tjerë do të bëhet ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e saj. /A.I