Humbëm 90 milionë euro!

Aktuale July 31, 2017 - 07:45

Përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen, flet për gazetën “Zëri” rreth skadimit të programit këtë të premte, me ç’rast konfirmon se nuk do të bëhet as disbursimi i 15 milionë eurove. Përpos kësaj, vendi rrezikon t’i humbë edhe 75 milionë euro të tjera nga BE-ja, të ndërlidhura me programet e Fondit

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe vonesa në krijimin e institucioneve të reja po i kushtojnë shtetit të Kosovës hiç më pak se 90 milionë euro, fonde këto të ndara nga institucionet ndërkombëtare për vendin.

Bëhet fjalë për humbjen e 15 milionë eurove nga programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili skadon më 4 gusht 2017, si dhe 75 milionë euro të tjera nga Bashkimi Evropian, përkatësisht fondet e IPA-s për Kosovën të ndara për reformën e administratës publike, etj., të cilat janë të ndërlidhura me programet e vendit me FMN-në.
Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se këtë të premte (4 gusht 2017) skadon programi mes FMN-së dhe institucioneve kosovare, me ç’rast nuk do të bëhet as disbursimi përfundimtar prej rreth 15 milionë eurove në kuadër të kësaj marrëveshjeje, pasi që, siç thotë ai, shqyrtimi i katërt dhe i fundit i programit nuk mund të përmbyllet në sfondin e zgjedhjeve.

”Çdo program i FMN-së ka një datë skadimi, të dakorduar reciprokisht ndërmjet Fondit dhe autoriteteve. Në rastin e Kosovës, data e skadimit më 4 gusht 2017 ishte rënë dakord para një kohe me pëlqimin e ndërsjellë. Meqenëse standardi i FMN-së nuk është t’i kryejë misionet e rishikimit rreth zgjedhjeve për të ruajtur paanshmërinë politike të Fondit, misioni i katërt i rishikimit nuk mund të zhvillohet në qershor siç është planifikuar. Për më tepër, misioni nuk mund të ndodhë pas zgjedhjeve sepse ende nuk ka një qeveri të re”, ka potencuar ai, duke shtuar se me afatin e përcaktuar të datës 4 gusht programit tani, thjesht, po i skadon koha.

Sipas tij, me programin aktual që do të përfundojë më 4 gusht do të varet nga Qeveria e re kur të formohet nëse do t’i fillojë negociatat për një program të ri me FMN-në.

 “Fondi është i gatshëm të angazhohet me autoritetet e reja për të mbështetur zbatimin e politikave dhe të reformave të fuqishme që do të ruanin përparimin e arritur gjatë viteve të fundit dhe do të siguronin rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të cilën ka nevojë Kosova”, ka thënë Vermeulen për “Zërin”.

Duke folur për pensionet e veteranëve të luftës shefi i FMN-së në Kosovë ka konfirmuar se reforma në përputhje me Ligjin e ndryshuar për Veteranët e Luftës nuk është finalizuar.

Sipas tij, që Kosova të ruajë qëndrueshmërinë fiskale është e rëndësishme që Qeveria e ardhshme t’i përfundojë këto reforma.
Republika e Kosovës kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2015, në vlerë prej rreth 185 milionë eurosh, në kohëzgjatje prej 22 muajsh. Afati i kësaj marrëveshjeje skadon më 4 gusht të këtij viti.

Edhe Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës, ka deklaruar ditë më parë për radion “Evropa e Lirë” se kjo marrëveshje me FMN-në nuk ka mundësi të vazhdohet dhe të negociohet për program të ri pa formimin e Qeverisë së re.

Ai thotë se mosprania e Kosovës në programet e FMN-së humb besueshmërinë e Republikës së Kosovës karshi institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare dhe te investitorët ndërkombëtarë.

“Nëse nuk je në program humb kredibiliteti, besueshmëria edhe tek investitorët tjerë. Këto janë çështje të lidhura me njëra-tjetrën. Për arsye se në raportet e një shteti, në këtë rast raportet e Kosovës me FMN-në, vlerësohet kredibiliteti edhe qëndrueshmëria e financave publike”, ka thënë ai.
Ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë thonë se dështimi i marrëveshjes së re me Fondin Monetar Ndërkombëtar rrezikon realizimin e projekteve të parapara me ato kredi. Sipas tyre, ky është edhe një sinjal për nevojën e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Përndryshe, në vitin 2009 Kosova është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kurse në muajin qershor po të këtij viti është anëtarësuar edhe në Bankën Botërore./Zeri/