Kurti dhe tre deputetë nga VV nuk regjistrohen brenda afateve, ja çka thonë nga Kuvendi

Aktuale July 28, 2017 - 15:44

Katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Liburn Aliu, Shqipe Pantina dhe Faton Topalli, kanë vendosur të mos regjistrohen si deputet në Kuvendin e Kosovës deri javën e ardhshme.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook” sqaroi se regjistrimi i deputetit nuk është i paraparë me dispozitat e Kushtetutës dhe as me ato të Rregullores së Kuvendit.

“Regjistrimi i deputetit është një veprim administrativ për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për administratën e Kuvendit ku përfshihen: kopja e kartelës bankare, kopja e letërnjoftimit, adresa e vendbanimit dhe CV’ja. Këto dokumente mund të dorëzohen në Administratën e Kuvendit në çdo kohë të përshatshme për deputetin. Regjistrimi i deputetit nga administrata e Kuvendit para seancës konstituive bëhet me qëllim të lehtësimit teknik (regjistrimi në holl të kuvendit). Deputetët z. Albin Kurti, z. Liburn Aliu, znj. Shqipe Pantina dhe z. Faton Topalli do ta bëjnë regjistrimin e nevojshëm javën e ardhshme para seancës konstituive dhe kjo nuk paraqet asnjë pengesë procedurale. Andaj lëshimi i afatit të caktuar nga Kryesia e Kuvendit për regjistrimin e deputetit, nuk ka pengesa për pjesëmarrje të deputetit në seancën konstituive të Kuvendit”, shkruante Hoti në Facebook.

Lidhur me këtë Periskopi ka kontaktuar sekretarin e Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili tha se një gjë e tillë është praktikuar nga deputetët edhe mandatin e kaluar.

“8 deputetë të legjislaturës së kaluar janë regjistruar pas afatit zyrtar. Kjo nuk ka paraqitur ndonjë problem”, tha Krasniqi për Periskopin.

I pyetur për mos-regjistrimin e deputetëve të LVV’së – Albin Kurti, Liburn Aliu, Shqipe Pantina dhe Faton Topalli, Krasniqi tha se është vendim i tyre.

“Është vendim i tyre. Përderisa nuk ndalohet me ligj, nënkupton që lejohet”, tha Krasniqi.

Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 3 gusht duke filluar nga ora 10:00, ndërsa sot përfundon afati zyrtar për regjistrimin e deputetëve, i hapur para tri ditëve.