Imer Mushkolaj vjen me një parashikim se kush do të jetë Kryeministër

Aktuale July 28, 2017 - 13:37

Analisti politik, Imer Mushkolaj tha për “Gazeta Blic”, se Ramush Haradinaj e ka mundësine i pari të arrijë ta formojë Qeverinë.

Nëse Haradinaj nuk arrin, atëherë presidenti duhet t’i japë mundësinë dikujt tjetër që i ka 61 numra.

Sipas tij formimi i qeverisë nuk është një garë mes Haradinajt e Kurtit se cili është më i forti ose ka programin më të mirë qeverisës, por kush i ka 61 numra do të jete fituesi.

“Fituesi do të jetë ai që i ka 61 vota minimumi kjo është më se e qartë, mirëpo kjo nuk është një garë mes Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti se cili është më i fortë ose cili po sjellë program më të mirë, fatkeqësisht do të duhej të ishte garë mes programesh por ne e dimë se ai i cili do t’i fitojë 61 vota do të jetë fituesi.
Zotëri Haradinaj e ka shan-cen i pari që ta arrijë dhe ai po bën çmos që ta arrijë këtë post. Në qoftë se Haradinaj nuk arrin, atëherë në bazë të Gjykatës Kushtetuse presidenti është i obliguar që t’i japë mundësinë dikujt tjetër që mund ta dëshmojë se i ka 61 vota”, ka thënë Mushkolaj për Gazeta Blic.

Sipas Mushkolaj, i nominuari i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj do të arrijë të gjejë disa deputetë që do ta votojnë atë dhe ta formojë qeverinë, mirëpo një veprim i tillë sipas tij është i pa moralshëm.

“Natyrisht zotëri Haradinaj mund të arrijë që të gjejë disa deputet që ta formojë qeverinë e tij por kjo për mua është e pa drejtë dhe e pa moralshme për shkak se këta deputetë në këtë formë e keqpërdorin vullnetin qe e kanë marrë prej qytetarëve. Zgjedhjet mbahen për të ardhur në pushtet dhe nëse veprohet në këtë formë atëherë është e pa kuptimet që kandidatë të tillë të kandidojnë për deputetë dhe nëse kishin dashur ta përkrahin Ramush Haradinajn shumë lehtë do të mund të kishin kaluar në partinë e tij edhe kjo do të ishte në rregull”, ka thënë ai.

Ndryshe, President Hashim Thaçi ka caktuar datën 3 gusht për ta mbajtur Seancën konstituive të Kuvendit.

E në anën tjetër drejtuesit e koalicionit PAN, vazhdojnë të theksojnë se i kanë numrat për formimin e Qeverisë.

Mirëpo nga koalicioni LAA dhe VV theksojnë se asnjë deputet i tyre nuk do ta votoj kandidatin e PAN-it për kryeministër.

Drejtuesit e këtyre dy subjekteve politike janë të bindur se pas dështimit të PAN-it, koalicioni LAA dhe VV do t’a formojnë Qeverinë.