Kurti: Kam pėrkrahjen e ambasadorėve pėr Qeverinė
Foto: Laura Hasani

Kurti: Kam pėrkrahjen e ambasadorėve pėr Qeverinė

SHPËRNDARJE

Albatrit Matoshi • 26 Korrik 2017 • 08:08 •

Presidenti Hashim Thaçi nuk guxon ta shfrytëzojë postin e tij për të “luajtur” me vullnetin e popullit dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Nëse PAN-i dështon ta bëjë Qeverinë, ai duhet t’ia japë shansin lëvizjes “Vetëvendosje” për krijimin e institucioneve të reja.

Sipas Kurtit, përmes zgjedhjeve të fundit populli tregoi se e do një qeverisje nga LVV-ja, mbështetjen ndaj së cilës e kanë konfirmuar edhe ambasadat kryesore të huaja në Prishtinë. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të qeveriset nga PAN-i, i varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e ku rreziqet do të ishin të paditura dhe të papritura.

Megjithatë, kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër thotë se kjo do të ndodhte vetëm përkohësisht, sepse “Vetëvendosja” tani ka fuqi të mjaftueshme për ta ndalur “PDK-në e vogël”, siç e quan ai dhe për t’u bërë gati për zgjedhje të shpejta. E nëse do të kishte sërish zgjedhje të reja, sipas Kurtit, “Vetëvendosja” do të dilte me mbi 40 deputetë.

“Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos të shmangin përsëritjen e zgjedhjeve”, ka thënë ai. Më tej, Kurti ka thënë se aktualisht Kosova i ka vetëm dy opsione. “Të lejohet udhëheqja e PDK-së dhe SHIK-u që ta vazhdojnë plaçkitjen dhe kapjen e shtetit, apo të ndalet përfundimisht kjo gjë, me një qeverisje të Lëvizjes që do të punonte për krijimin e shtetit të së drejtës”, ka thënë ai.

Zëri: Zotëri Kurti, është e pashmangshme pyetja në fillim të kësaj interviste rreth rezultatit zgjedhor të 11 qershorit. Ju keni dalë politikani më i votuar ndërkaq lëvizja “Vetëvendosje” është votuar si partia më e madhe në vend. Çka nënkupton kjo për ju?

Kurti: Kjo për mua nënkupton atë që nënkupton për të gjithë popullin. Edhe ata që më kanë votuar e që kanë votuar lëvizjen “Vetëvendosje”, e kanë bërë këtë sepse dëshirojnë ndryshim të madh e të prekshëm, por edhe ne që e kemi kërkuar votën e tyre e kemi kërkuar gjithnjë duke bërë të qartë se për çfarë qëndrojmë.

Etika jonë qytetare, morali ynë politik, transparenca e organizatës sonë, refuzimi e lufta që ne i bëjmë korrupsionit, programi ynë për zvogëlim të pabarazisë ekonomike e për rritje të zhvillimit, punësimit e mirëqenies, si dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishmja, mbajtja gjallë e aspiratës kombëtare shqiptare, të gjitha këto janë premisat e ndryshimit të madh që do ta sjellë lëvizja “Vetëvendosje”, krahasuar me keqqeverisjen, korrupsionin, kapjen e shtetit, varfërimin, pabarazinë, papunësinë, antivlerat dhe antikombëtarizmin që kanë prodhuar qeveritë e deritashme në Kosovë.

Kosova ka dy opsione, SHIK-un ose LVV-në

Zëri: Në mënyrë që kjo “votë për ndryshim” të vijë në shprehje, duhet të ketë një rezistencë nga të gjithë deputetët tuaj, e në veçanti të koalicionit LAA. Aktualisht ne kemi tri opsione parasysh: 1. PAN-i ta krijojë një qeveri të shumicës së thjeshtë; 2. Ta krijojë një qeveri me “bazë të gjerë”, duke përfshirë aty LDK-në, AKR-në apo Alternativën dhe 3. Të dështojë në krijimin e Qeverisë.  Cili është vështrimi i juaj rreth kësaj situate?

Kurti: Në fakt Kosova i ka vetëm dy opsione, të lejohet udhëheqja e PDK-së dhe SHIK-ut që ta vazhdojnë plaçkitjen dhe kapjen e shtetit, apo të ndalet përfundimisht kjo gjë, me një qeverisje të Lëvizjes që do të punonte për krijimin e shtetit të së drejtës dhe për nisjen e rrugës së vështirë por të domosdoshme të zhvillimit ekonomik, të rritjes së prodhimit vendor dhe të punës.

Nëse SHIK-u dhe krerët e PDK-së lejohen të krijojnë Qeveri, për çfarë do të krijohej ajo qeveri? Për ta krijuar një gjyqësor të pavarur? Për ta luftuar krimin? Për ta zhvilluar ekonominë dhe për ta ngritur mirëqenien? Të gjithë e dimë se ata nuk kanë synime të tilla, por kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë të kundërtën e këtyre gjërave.

Andaj janë ndëshkuar prej popullit në zgjedhje dhe sot PDK-ja i ka më pak deputetë sesa i ka pasur kur ka qenë për herë të fundit në opozitë. Kushdo që shkon në qeverisje me PDK-në, i bashkohet një partie në rënie dhe me shpejtësi rrëzohet prej saj. Kushdo që vjen me “Vetëvendosjen”, i bashkohet një force progresive, në rritje e me energji të madhe popullore. Këtë besoj e dinë dhe deputetët e koalicionit LAA dhe shpresoj që të jenë në gjendje ta bëjnë zgjedhjen më të mirë për veten e tyre e vendin tonë. 

Zëri: Nëse eventualisht kemi krijimin e një qeverie me shumicë të thjeshtë, pra 61 deputetë apo diçka më shumë, cila do të ishte forca e saj në çuarjen e agjendave të mëdha përpara?

Kurti: Ajo do të ishte një situatë e lehtë për “Vetëvendosjen”, por e vështirë për Kosovën. Sepse ajo qeveri do të ishte qeveri e dobët karshi nesh, por e rrezikshme karshi qytetarëve të Kosovës. Ne si opozitë me 32 deputetë do të mundë ta bënim dyfishin e asaj që kemi bërë më parë. Kjo do t'i përshpejtonte zgjedhjet e reja dhe po të përsëriteshin zgjedhjet, Lëvizja do të dilte me mbi 40 deputetë. Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos ta shmangin përsëritjen e zgjedhjeve.

Mbi të gjitha, më duhet të flas nga këndvështrimi i të mirës së Kosovës. E nga ky këndvështrim, vendit dhe popullit tonë nuk i duhet as edhe një javë vonesë. Qeveria e lëvizjes “Vetëvendosje” duhet të krijohet një orë e më parë, pasi shtresat e ulëta nuk po kanë bukë të hanë, e shtresat e mesme gjithnjë e më shumë po shndërrohen në shtresa të ulëta. Kur nuk ka fituar lëvizja “Vetëvendosje” në të kaluarën, shumë më tepër ka humbur populli i Kosovës sesa Lëvizja jonë. Por, edhe kur të qeverisë “Vetëvendosja” shumë më tepër fitojnë qytetarët e Republikës sesa Lëvizja jonë. 

Zëri: Cili është mendimi juaj për kundërkandidatin tuaj Ramush Haradinaj? Ju duket i denjë për të udhëhequr me vendin?

Kurti: Mendimi im personal është se në një demokraci elektorale janë votuesit që i tregojnë gjithkujt se a është dhe sa është i denjë për të qeverisur me vendin. Në zgjedhjet e vitit 2014 ne ishim subjekti i tretë, andaj edhe kur bëmë thirrje për të krijuar koalicionin opozitar, ne nuk kërkuam postin e kryeministrit. Madje nuk kërkuam asnjë post.

Ata që këmbëngulën për poste më pas e prishën koalicionin dhe e lanë PDK-në në pushtet, gjë që siç dihet pati pasoja katastrofale të migrimit masiv e kosto të mëdha për vendin, që vijojmë t'i paguajmë si shoqëri e si shtet. Edhe sot, synimi për poste kur nuk i ke votat e duhura rrezikon ta sjellë të njëjtin rezultat, lënien e PDK-së në pushtet. Por sot, fatmirësisht, gjërat janë shumë më të lehta për ne, që kemi dalë subjekt i parë dhe shumë të vështira për PDK-në dhe për ata që ajo i josh duke përfituar prej dobësive të tyre.

 Nëse mbetemi në opozitë, përgatitemi për zgjedhje të menjëhershme

Zëri: Po flitet shumë për “rrezikun” e varjes së Qeverisë së ardhshme nga Lista Serbe. A ekziston një rrezik i tillë dhe cili do të mundë të ishte dëmi në praktikë. Në këtë kontekst, nëse vetëm formohet kjo Qeveri, a do të mundë ta çonte mandatin deri në fund?

Kurti: Ne kemi pasur edhe më parë qeveri të varur nga Lista Serbe dhe kjo rezultoi në një skandal të madh që s'do të kishte ndodhur askund tjetër. E kam fjalën për nënshkrimin e marrëveshjes për “Zajednicën”, e cila doli të ishte tërësisht në shkelje të Kushtetutës. Po të mos ishim të bashkuar e të vendosur në opozitë, sot Kosova do të ishte në situatën e Bosnjës, pra një shtet i bllokuar dhe jofunksional. Mirëpo, duhet kuptuar që cilado qeveri e cila varet drejtpërdrejt nga Lista Serbe, varet drejtpërdrejt nga Beogradi. Të këqijat dhe rreziqet që mund të vijnë prej saj janë të shumta, të pritura e të papritura, të ditura e të mosditura. Besoj se është në interesin e Kosovës që të krijohet një qeveri me subjektin më të madh, lëvizjen “Vetëvendosje”. Madje është edhe në interes të minoritetit serb të Kosovës, sepse Lëvizja do t’i përfshinte në qeverisje edhe përfaqësuesit autentikë të këtij komuniteti, të cilët tashmë e kanë denoncuar Listën Serbe si një ndërhyrje jodemokratike nga ana e Beogradit.

Zëri: Si do të veproni ju nëse do të mbeteni në opozitë edhe në këtë mandat. Cila do të jetë qasja e lëvizjes “Vetëvendosje”, në veçanti tani kur keni edhe rritje të ndjeshme të numrave në Kuvend?

Kurti: Qytetarët e duan Lëvizjen në qeveri. Nëse përmes allishverisheve dhe kontrabandës ndodh kjo që thoni ju, atëherë ajo çka do të bëjë lëvizja “Vetëvendosje” është që menjëherë t’i fillojë përgatitjet për zgjedhjet e reja. Edhe një herë po ua kujtoj, një PDK e madhe nuk mundi të qeverisë në tre vjetët e fundit për shkak të opozitës së Lëvizjes me 16 deputetë. Një Lëvizje me 32 deputetë nuk e ka problem ta ndalë një PDK të vogël, e cila gjithnjë e më shumë po zvogëlohet.

Thaçi nuk mund të bëjë puç institucional

Zëri: Presidenti Thaçi ka thirrur në takim konsultativ të gjitha partitë politike në vend për caktimin e një date për konstituimin e Kuvendit. Si e keni parë rolin e presidentit Thaçi në këtë mes dhe përtej këtij takimi, a do të pranojë lëvizja “Vetëvendosje” që të bëhet pjesë në çfarëdo forme e një qeverie me “bazë të gjerë” dhe me çfarë matematikash apo kalkulimesh?

Kurti: Thaçi me veprimet e veta po e vazhdon ashtu si e ka nisur. Që nga fillimi ai ka qenë personi i gabuar për t'u bërë president, pasi është tepër i anshëm dhe ka një histori me mosrespektimin e ligjeve, demokracisë dhe të institucioneve. Të shohim se a do ta shfrytëzojë këtë rast për ta normalizuar sadopak figurën e tij si president. Ne nga ai prisnim vetëm që të caktonte datën e mbledhjes së Kuvendit dhe të procedojë sipas ligjit me mandatin e parë për PAN-in dhe mandatin e dytë për lëvizjen “Vetëvendosje”. Nuk ka nevojë për takime, sepse nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. E kuptoj që është i shqetësuar nga halli i madh që i ka rënë PDK-së, por ky hall nuk do të duhej të na shqetësonte edhe neve të tjerëve.

Zëri: Megjithatë, pas atij takimi presidenti Thaçi caktoi datën e seancës konstituive për 3 gusht?

Kurti: Që do të thotë se nuk ka pasur nevojë për atë takim. E ka ditur që PAN-i është ngushtë për numra dhe atyre u nevojitet një datë në muajin gusht. 

Zëri: A besoni që në rast të dështimit të koalicionit PAN për ta formuar Qeverinë e re, presidenti Thaci do jua japë mandatin juve kur dihet që është në diskrecionin e tij?

Kurti: Ne i kemi votat e qytetarëve, sipas gjasave mund ta kemi edhe bashkëpunimin dhe mbështetjen e koalicionit LAA. Edhe ambasadorët e rëndësishëm ndërkombëtarë në Kosovë na kanë ofruar mbështetjen e tyre nëse i kemi numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë. A mendoni ju se diskrecioni i Hashim Thaçit është aq i rëndësishëm sa të dalë kundër votës së popullit, kundër shumicës në Kuvend edhe kundër ndërkombëtarëve? Ai nuk mund të bëjë puç institucional, pasi nuk është monark absolut në Kosovë, por president i një Republike Parlamentare. Populli është burim i sovranitetit dhe Kuvendi është institucioni që nëpërmjet përfaqësuesve të popullit ka mandat ta krijojë Qeverinë.

Jemi optimistë për diskutimet me LDK-në

Zëri: Cila është formula juaj për krijimin e Qeverisë së re. Kë do të ishit në gjendje ta përfshinit e kë ta lini anash?Tashmë keni pasur dy takime me LDK-në. A mund që ky “flirt” të përfundojë me “martesë”?

Kurti: Nuk ka asnjë “flirt”, por ka premisa për diskutime për përafrimin programor dhe për krijimin e një formule qeveritare. E qartësojmë këtu se asnjë qeveri e “Vetëvendosjes” nuk mund të etiketohet si “martesë”, as sa për metaforë, sepse ne nuk do të jemi aty për hir të njëri-tjetrit si subjekte por për mirëqenien e qytetarëve dhe progresin e shtetit. Koalicioni qeverisës do të jetë bashkim forcash në një mënyrë tepër transparente, ne do t´ia tregojmë gjithë publikut se për çfarë jemi marrë vesh, për termat, për temat, për afatet, sigurisht edhe për emrat e personave të përfshirë. Ne jemi optimistë për këto diskutime. Megjithatë, rezultati i kësaj do të duket kur të na jepet mandati i dytë për krijimin e Qeverisë, pra pas dështimit, sipas të gjitha gjasave, të PAN-it në mandatin e parë.

Zëri: Zotëri Kurti, posti i kryeministrit duket sikur është shndërruar në një “garë” ku të gjithë po shtyhen se cili do ta fitojë. Realisht nëse shikojmë, ky post nuk është ndonjë privilegj i caktuar, në fakt është një obligim i madh që dikush e merr përsipër për të shërbyer në një vend të tërë. Pse ju e kërkoni këtë obligim? Cilat janë ndryshimet që keni në mendje t’i bëni dhe të cilat, sipas jush, do të përmirësonin jetën e qytetarit?

Kurti: Pikërisht pse qeverisja shihet si privilegj e jo si punë, është e domosdoshme ndërhyrja e “Vetëvendosjes”. Ne nuk e shohim postin si privilegj, as nuk jemi të dashuruar me postin, prandaj populli na e dha besimin për ta marrë atë post e atë pushtet. Obligimet që i kemi marrë para popullit, për ta ndryshuar pra atmosferën e politikëbërjes në Kosovë, ne detyrohemi t´i mbajmë. Ne nuk i ikim obligimeve tona, sidomos atyre që i kemi ndaj popullit.

Ndryshimet do të jenë të shumta edhe të prekshme. Së pari, kemi konceptuar një sistem të vetingut për sistemin e drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët. Nuk do të ketë më vend për gjyqtarë të korruptuar e të paaftë. Kriminelët, vrasësit, hajnat, do të dënohen, edhe nëse janë deputetë apo ministra, apo biznesmenë e milionerë. Ndërsa të pafajshmit nuk do të vuajnë më, siç po vuajnë sot pesë aktivistë të vlefshëm të “Vetëvendosjes”. 

Ekonomia do të transformohet përmes krijimit të Fondit Sovran, Agjencisë Zhvillimore dhe Bankës Zhvillimore të Kosovës, tri institucione të pavarura publike që do t’i investojnë në Kosovë paratë e kosovarëve, që do ta mundësojnë subvencionimin e aktivitetit prodhues, kreditimin e investitorëve vendorë, si dhe ngjalljen e mëkëmbjen e industrisë sonë. Sipas këtij plani që e kemi zhvilluar në detaj me ekspertë në universitete të shquara të perëndimit, ne do ta dinamizojmë ekonominë e Kosovës, do ta përmirësojmë bilancin tregtar, do të hyjmë në rrugën e zhvillimit dhe punësimit dhe sigurisht që do ta kemi edhe një rritje më të shpejtë ekonomike. Deri më tani qeveritë kanë qenë përgjithësisht administruese të së tashmes, kurse Qeveria jonë do të jetë zhvilluese për të ardhmen.

Zëri: Ju keni përpiluar një program qeverisës të cilën edhe e keni prezantuar, por nëse do t’u thoshim që t’i zgjidhnit tri pikat themelore në të cilat do të bazohej Qeveria juaj, cilat do të ishin ato?

Kurti: Drejtësinë nga shteti për qytetarët si dhe reformat ekonomike për shtet zhvillimor i përmenda më herët, kështu që po përmend tri të tjera.

Ne do ta miratojmë Ligjin për Mbrojtjen e Prodhimit Vendor dhe do t’i rrisim subvencionet e grantet në bujqësi, si dhe do të bëjmë sigurimin e plotë të prodhimit bujqësor. Kjo do të thotë përmirësim të ndjeshëm të kushteve për fermerët dhe bujqit, për ekonominë rurale të Kosovës.

Ne do të krijojmë Tregun e Përbashkët të Prodhimeve e të Shërbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, të koordinuar dhe tërësisht të integruar sipas praktikave të BE-së. Kjo nuk do të jetë thjesht tregti e lirë, si CEFTA apo si projekte të tjera rajonale, por treg i përbashkët. Ministritë e caktuara, që merren me koordinimin e sektorëve të tregut në Tiranë e në Prishtinë do të krijonin drejtori të përbashkëta planifikuese e ekzekutuese. Ta zëmë, nëse Kosova mbjell patate mjaftueshëm për Kosovën e Shqipërinë, atëherë ose do të synohet eksporti, ose nuk do të ketë nevojë që fermerët në Shqipëri të mbjellin patate. Ata mund ta mbjellin një produkt tjetër dhe do ta kenë tregun e sigurt në Kosovë. Vetëm përmes koordinimit të tillë ne do të mund të rrisim ekonominë e shkallës dhe t’i krijojmë përparësitë krahasuese. Kjo do të ishte përfitim i menjëhershëm i ekonomisë së Kosovës e i Shqipërisë, pasi neve po na ndodh që patatet t'i gjuajmë në lumë, e ata bëjnë të njëjtën gjë me mollët e qershitë. Kjo nuk duhet të ndodhë në kushtet kur populli ynë është kaq i varfër e kemi dhjetëra mijëra njerëz që janë të kequshqyer.

Së treti, po e përmend edhe një tjetër politikë që do ta zbatojmë menjëherë. Ne do të bëjmë sigurimin jetësor të të gjitha forcave të Policisë dhe të zjarrfikësve. Policët dhe zjarrfikësit e Kosovës duhet të mbrohen ekonomikisht nga shteti. Ata shpesh rrezikojnë jetën përballë krimit e vështirësive si zjarret, etj. Sigurimi jetësor është më e pakta që ne u detyrohemi atyre. Pra, me Qeverinë e Lëvizjes familjet e tyre nuk do të jenë kurrë të braktisura.

Do të ndryshohet tërësisht panorama e qeverisjeve lokale

Zëri: Çfarë do të ndodhë me “Temat e mëdha” në pika të shkurtra: Demarkacionin (liberalizimin e vizave), Asociacionin, ushtrinë, Gjykatën Speciale, luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit?!

Kurti: Në pika të shkurtra, për Demarkacionin do të kërkojmë mirëkuptimin e Malit të Zi dhe krijimin e një komisioni të përbashkët me ekspertë nga Mali i Zi, Kosova por edhe ekspertë ndërkombëtarë dhe me transparencën më të madhe e me rigorozitet të dokumentuar shkencor, do të shohim që kufiri të jetë aty ku ka qenë gjithmonë. Mali i Zi deri më tani ka treguar mirëkuptim dhe nuk besojmë se është i interesuar të marrë tokë të Kosovës.

Asociacioni tashmë është shpallur antikushtetues. Ne nuk do të lejojmë që të ndodhë asnjë veprim që shkel Kushtetutën. Ne angazhohemi për ndryshim të Kushtetutës, por ne nuk e lejojmë përbuzjen apo shkeljen e saj. Aty ku shkelet kushtetuta s´ka shtet, e ne jemi në nevojë të madhe për shtet.

Ushtria do të krijohet në bashkëpunim me Shqipërinë, NATO-n, SHBA-në dhe aleatët tanë. Nuk kanë qenë pengesë për ushtrinë miqtë ndërkombëtarë, por mungesa e vullnetit dhe aftësisë e qeveritarëve tanë. Ata e kanë përdorur ushtrinë si një shantazh. Po të kishte qenë çështje tenderësh, ushtrinë do ta kishin krijuar moti. Por nuk e kanë krijuar dhe do ta krijojmë ne.

Gjykata Speciale është një padrejtësi e madhe që Kosovës dhe UÇK-së ia ka bërë PDK-ja dhe forcat e tjera që e votuan. Ne kemi qenë kundër saj, sepse përbalt luftën tonë të drejtë çlirimtare, por edhe është kundër parimeve universale të drejtësisë. Ajo është e vetmja gjykatë në botë që gjykon vetëm një etni. Ne do përpiqemi ta mbrojmë UÇK-në, edhe pse një pjesë të dëmeve të mëdha që ia ka bërë UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli e “Pronto”-t e tjerë, tashmë janë të pariparueshme.

Krimet e bëra prej vitit 2000 e këndej, sidomos krimet e rënda të bëra nga të pasurit e të pushtetshmit, do të hetohen e do të çohen përpara gjyqeve. Do t’i shtojmë e fuqizojmë prokurorët e gjykatësit dhe bashkëpunëtorët e tyre profesionalë. Pas reformës e Vetingut të gjyqësorit, nuk do të ketë më mundësi që “të fuqishmit” të dalin pa u lagur nga gjyqet nëse provohet që kanë bërë krime. Nuk do të dorëzohet më shteti i dobët para kriminelëve, por edhe kriminelët e fuqishëm do të dorëzohen para shtetit.

Zëri: Më 22 tetor kemi edhe zgjedhjet lokale. A pritni që rritja e “Vetëvendosjes” të reflektohet edhe në këto zgjedhje dhe në cilat komuna besoni që do të fitoni?

Lëvizja “Vetëvendosje” doli e para në dhjetë komuna, në Mitrovicë, Vushtrri, Gjilan, Dardanë, Viti, Kaçanik, Han i Elezit, Ferizaj, Fushë-Kosovë e në Prishtinë, duke i lënë pas koalicionet e tjera, edhe pse ato ishin të përbëra nga shumë parti. Po të krahasohet me parti individuale, pra pa koalicione, Lëvizja ka dalë e para edhe në pesë komuna të tjera. Prandaj, në zgjedhjet lokale do të ndryshohet tërësisht panorama e qeverisjeve lokale në Kosovë. Lëvizjes “Vetëvendosje” tashmë i ka ardhur koha, dhe një ideje e organizate që i ka ardhur koha nuk mund t´i dalë kush para për ta ndalur. Ne kemi filluar procesin e brendshëm për përcaktimin e kandidatëve për kryetarë e asamblistë të komunave dhe jemi të bindur se do të kemi një përfaqësim të shkëlqyer.

Zëri: Një pyetje për fund, nëse PAN-i do të arrijë që kësaj radhe ta formojë Qeverinë, a do të jetë Albin Kurti përsëri kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Ne e dimë që këtë e vendosin organet e partisë, mirëpo nëse partia do t’jua besonte një gjë të tillë përsëri, a do ta pranonit?

Kurit: Gjithnjë jam gati të bëj gjithçka që ma kërkon anëtarësia e “Vetëvendosjes”, aktivistët dhe populli.