Stavileci: Shpend Ahmeti viktimë e Dardan Molliqajt

Aktuale July 25, 2017 - 19:28

Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka quajtur kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, viktimë të Dardan Molliqajt, njofton Klan Kosova.

Qasjen e kohëve të fundit të PDK-së ndaj Vetëvendosjes, së fundi në nivel lokal, ai nuk e konsideroi yrysh, por sipas tij tha që është pasqyrim i realitetit, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka bërë punësime partiake në komunë.

Stavileci e justifikoi se edhe më herët e kanë vënë theksin në këto parregullsi, porse opinioni publik nuk i ka trajtuar aq shumë sepse ka pasur tema të tjera.

Ai përmendi njerëz që sipas tij kanë pasur kontrata me shërbime të veçanta në vitet e fundit nga ana e qeverisjes lokale në Prishtinë.

“486 njerëz të punësuar në këto shërbime i kanë kushtuar komunës rreth 2.5 milionë euro”, tha Stavileci në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Kemi një punësim partiak të paligjshëm”, shtoi ai duke bërë dallimin mes punësimeve partiake dhe emërimeve politike, dhe se këto nuk duhet ngatërruar.

Kjo pasi që sipas tij në punësimet partiake nuk shkohet në bazë të kritereve dhe nuk përfillen procedurat.

“Më e keqja, nëse hyn brenda kësaj liste ti sheh që aty kemi militantë që kanë qenë pjesë e sekretariratit dhe komisariateve”.

Stavileci më pas vazhdoi me akuza ndaj ish-sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëndesojes, Dardan Molliqaj, duke e quajtur arkitekt të organizimeve më të pahijshme që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës.

“Ky njeri i cili është një prej arkitektëve që ka organziuar gjërat më të pahijshme që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, është në krye të këtij grupi, që dërgon lista në komunë për të punësuar”.

“Si mund të vijë dikush që ka qenë në urdhrat e këtij kryebanditi dhe këtij komisariati?”

Ai përfundoi duke thënë se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është viktimë e Dardan Molliqajt.