Rasim Selmanaj përdor makinën zyrtare edhe pas dorëheqjes

Aktuale July 23, 2017 - 16:16

Hyrije Dobrunaj, asambliste e LDK-së në Deçan thotë se Rasim Selmanaj po e përdor makinën zyrtare edhe pasi paralajmëroi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të komunës.

Asamblistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, Hyrije Dobrunaj, kur foli për KALLXO.com paralajmëroi ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi sipas saj Rasim Selmanaj po përdor makinën e kryetarit të komunës dhe kompetencat dhe privilegjet që i lejon këtë pozitë, edhe pas njoftimit për dorëheqje.

“Ne si opozitë do të bëjmë ankesë në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal që të stopohet ky veprim i tij”, tha këshilltarja komunale e LDK-së në Deçan për KALLXO.com.

Më 5 korrik, Selmanaj që është zgjedhur deputet i Koalicionit PAN tregoi në Facebook se është përcaktuar të shkojë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa lajmëroi tërheqjen nga pozita e kryetarit të Deçanit, duke falënderuar qytetarët dhe bashkëpunëtorët.

Këshilltarja Hyrije Dobrunaj tha se pasi Selmanaj paralajmëroi dorëheqjen, nuk ka të drejtë të përdorë makinën zyrtare dhe kompetencat tjera të kryetarit të komunës.

“Ai (Rasim Selmanaj) ende është duke e përdorur makinën zyrtare të kryetarit të komunës.Përpos asaj, ai po përdor edhe tjera kompetenca. Ai pas tërheqjes nga kryetari nuk ka drejtë as ta përdorë veturën, as të shpërndajë mirënjohje dhe as të bëjë takime në zyë të kryetarit. Kompetencat e tij i kanë kaluar nënkryetarit të komunës me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale”, tha Hyrije Dobrunaj.

Selmanaj nuk e mohoi se po përdor veturën dhe kompetencat tjera të kryetarit, ndërsa tregoi se dorëheqjen do ta japë në momentin kur betohet në Kuvend si deputet.

“KQZ-ja ka lypë të deklarohem se është me ligj a do ta mbaj pozitën e deputetit, apo të kryetari të komunës. Unë jam deklaruar për pozitën e deputetit, mirëpo ende nuk kam dhënë dorëheqje. Dorëheqja ndodh ditën kur betohna në parlament, prej atij momenti më nuk jam kryetar. Ditën kur betohna në parlament e dorëzoj edhe veturën, edhe një letër”, tha Selmanaj për KALLXO.com...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Kallxo.Com)