Ky është Shend Zhjeqi që fitoi Medaljen e Bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (Foto)

Aktuale July 22, 2017 - 14:56

Atomisti, Shend Zhjeqi, ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (ONM).

"ONM është gara më e rëndësishme ndërkombëtare e matematikës, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e botës, të përfaqësuara nga nxënësit më të mirë të matematikës. ONM është kampionati botëror i matematikës për nxënësit e shkollave të mesme. Prandaj, arritja e Shendit është vërtet e jashtëzakonshme"- thuhet në komunikatë.

Meritat për këtë sukses të jashtëzakonshëm të Shendit, para së gjithash i takojnë vet Shendit, potencialit të tij të jashtëzakonshëm intelektual, talentit të tij për matematikë dhe përkushtimit e punës së tij të palodhshme.

Por, për këtë arritje janë meritorë edhe prindërit dhe familja e tij për përkrahje të vazhdueshme, mësimdhënësit e Gjimnazit Matematik për punë të mirë me të dhe Shoqata e Matematikanëve të Kosovës që ka mundësuar shkuarjen e tij në ONM.

Gjithsesi, njeriu më meritor për përkrahje profesionale të vazhdueshme për Shendin dhe për këtë sukses të tij është Valmir Krasniqi, i cili për vite ka punuar me Shendin, edhe privatisht, edhe në kuadër të Institutit ATOMI edhe në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Matematikës "Kangaroo".

Shend Zhjeqi është vetëm 15 vjeçar dhe përveç që është atomist (dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm intelektual) tashmë ka dy dëshmi ndërkombëtare për talentin e tij të jashtëzakonshëm në matematikë Ai kishte arritur maksimumin e pikëve të mundshme në Garën Ndërkombëtare të Matematikës "Kangaroo" të organizuar në Kosovë nga Instituti ATOMI dhe tashmë ka fituar edhe Medalje të Bronztë në ONM, e 58-a me radhë, e cila është mbajtur këto ditë në Brazil.

Të gjitha këto e bëjnë Shend Zhjeqin krenari dhe shpresë për Kosovën dhe për të ardhmen e matematikës në Kosovë.

Instituti Atom e ka përgëzuar Zhjeqin për këtë arritje.

Image

Image

Image