Vazhdojnë përplasjet në Maqedoni për çerdhen fetare

Aktuale July 22, 2017 - 14:40

Publikimi i këtij informacioni në rrjetet sociale dhe media shkaktoi reagime të ndryshme. Disa nga prindërit që kanë fëmijët në këtë çerdhe dhe disa banorë të lagjes thonë se pajtohen me një plan-program të tillë. Çerdhja është e njëjtë si çerdhet tjera, vlerësojnë ata.

“Me 5 vjet, 6 vjet me nxjerr nëpër portale dhe mundohesh të paragjykosh dhe të shpifesh në diçka që ne me vite në këtë lagje e kemi luftuar të keqen... Çdo çerdhe e ka plan-programin e vet, un si prind me zonjën time e kam parë plan-programin dhe jemi afruar këtu dhe e kemi dorëzuar fëmijën. Është fyerje të parashikosh në diçka kur t’i nuk ke informatë me këtë çerdhe”,- theksoi një prind.

“Ky popull e ka fenë e vet dhe e drejta e atij është ku do ta regjistrojë fëmijën. Nuk ka rrezik, çdo çerdhe ka plan-programin, kjo ka shtesë vetëm fenë. Disa persona analistë, duhet tash t’i pyesim ata se ku ta regjistroj unë fëmijën tim, ka tre vite që është i regjistruar këtu dhe jam i kënaqur”- tha një prind.

“Këtu edukohen fëmijët dhe ju ftoj në shtator kur të bëhet regjistrimi të shihni vet ju. Ne interesohemi se ku i çojmë fëmijët dhe normal është gjithçka legalizim, punonjësit janë të kualifikuar dhe jemi të kënaqur me punën që bëjnë ata dhe mos të harrojmë, nuk jemi qytetarë të klasit të fundit, këtu ke prind që janë psikologë, me shkolla, me doktoratura etj.”- u shpreh një prind.

“Në këtë personel ka pedagogë, unë jam si kojshi këtu, i shoh çdo ditë, i marrin i vendojnë në gjumë, i shëtisin dhe i ushqejnë, do të thotë i mbajnë me rregull. Unë jetoj këtu dhe s’kemi pasur problem, i shohim si i sjellin baballarët këtu dhe e shohin punën e vet”- potencoi një prind.

“Vijnë mësojnë, brenda nuk e dijë si është, por nga jashtë është gjithçka normale”,- tha një prind.

Por, kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, reagoi sa i përket kësaj çështje, duke potencuar se në Maqedoni kopshtet fetare nuk janë të lejuara dhe se institucioni që ai përfaqëson nuk i ka dhënë askujt leje për praktikumin e mësimit fetar në çerdhe.                                                

“Pa pëlqimin tonë atë veprim nuk mundet ta bëjë askush dhe as të mos i ikë mendja për diçka të tillë. Ne nuk lejojmë që fëmijët tanë të pavetëdijshëm të na infektojë ndokush. Sa është informim dhe edukim, aq mund të jetë edhe helmim. Unë ju garantojë dhe i them atyre që me të gjitha organet e mija i kundërvihemi njëzëri”,- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.   

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thotë se po verifikojnë nëse kopshti është i regjistruar zyrtarisht. Derisa nga komuna e Çairit vlerësojnë se çështja duhet t’i kalohet Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, pasi ajo është kompetente për këtë çështje. (TVM2)