Dardan Gashi tregon më tepër për takimin mes Haradinajt e familjes Rugova

Aktuale July 21, 2017 - 21:41

Ish-ministri dhe analisti, Dardan Gashi, ka thënë në Zona e Debatit të Klan Kosova se bashkëpunimi i Ramush Haradinajt me ish-presidentin Ibrahim Rugova e bën tash të natyrshëm bashkëpunimin e sërishëm mes Haradinajt e Familjes Rugova.

Sipas Gashit, ideja e bashkëpunimit është që të mos bllokohen proceset, por në frymën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, të vazhdohet tutje duke bashkëpunuar dhe duke e zhbllokuar procesin.

“Bashkëpunimi mes familjes Haradinaj dhe Familjes Rugova është një bashkëpunim për të mirë të vendit. Është ideja që të mos vazhdojmë me bllokim të vendit siç ka ndodhur para tri vjetësh. Kjo është një vazhdimësi e bashkëpunimit të Ramush Haradinajt dhe ish-presidentit, Ibrahim Rugova”, ka thënë Gashi në Zona e Debatit, njofton Klan Kosova.

“Tani ka arsye për ta zhbllokuar vendin, pasi e kemi një njeri që është mbështetur nga Ibrahim Rugova. Nëse Rugova e ka mbështetur këtë njeri, përse të mos e mbështesim ne sot? Përse të bllokohet diçka kur nuk ka qenë diskutabile sa ka qenë gjallë presidenti? Për çfarë arsye?”.

Gashi thotë se “nuk është interesant që karriera politike të ndërtohet mbi urrejtje politike. Por, kjo s’mund të jetë arsye për ekzistencë e një partie politike”.

“Nuk mund të ndërtojmë shtet duke mbajtur inat me grupe e me individ të caktuar”.

“Apeli është; a mundemi tash, kur jemi para sfidave të mëdha, të vetëdijesohemi prapë në frymën e atij njeriu, atij pishtari. Të bëhen pjesë e të qeverisë, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër”.

Gashi ka shpjeguar edhe rolin e tij në këtë bashkëpunim.

Ai pohoi se bashkëpunon me të gjithë dhe tani ideja është që të bashkëpunohet më shumë për t’i ikur krizës më të thellë.

“S’ka hezitim strukturor për këtë, por ka hezitim individual. Vendi që tre vjet është në vendnumëro. Kjo është ideja e takimit të sotëm. Vendi duhet ta zhbllokojë vetveten”.