Haxhiu: VV-ja s’do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidenti

Aktuale July 21, 2017 - 10:26

Përderisa Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pret që të hënën të mbajë takimin konsultativ me partitë politike, Vetëvendosje nuk do të jetë e pranishme në këtë takim.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin deputetja e legjislacionit të VI nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se ky takim është plotësisht i panevojshëm dhe, sipas saj, Presidenti Thaçi bën mirë që të thërrasë seancën e parë konstituive në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Presidenti i vendit bën mirë që të thërrasë seancë konstituive dhe jo takime të tillë të cilat janë të panevojshme. Vetëvendosje e ka shqyrtuar ftesën e Presidentit dhe nuk do të marrim pjesë në këtë takim”, ka thënë ajo.

Ndryshe, takimi konsultativ i thirrur nga Presidenti Hashim Thaçi do të mbahet në hënën në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.