Me apo pa VV-në e LDK-në, Thaçi e mban takimin e thirrur të hënën

Aktuale July 20, 2017 - 23:02

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar të hënën të gjitha subjektet politike për një takim konsultativ. Por, pa përgjigje rreth pjesëmarrjes së tyre vazhdojnë të jenë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Thaçi duket se do ta mbajë takimin edhe nëse prezent nuk do të jenë këto dy parti politike.

Këshilltari i Presidentit, Ardian Arifaj ka bërë të ditur për “Indeksonline” se ende nuk kanë marrë përgjigje nga LVV dhe LDK, por që takimi do të mbahet siç është paraparë, pa marrë parasysh cila parti mungon.

“Të hënën e shohim, nuk kemi nevojë të spekulojmë asgjë. Ne e kemi caktu takimin për të hënën dhe do e zhvillojmë. I kemi ftu me ardhë në orën 10, kush vjen prej partive, e mbajmë takimin. Është thjeshtë takim konsultativ, asgjë më shumë. Kjo është edhe në interes të partive”, ka thënë Arifaj.

Kujtojmë se LVV-ja dhe LDK-ja kanë mbajtur një takim për t`i shqyrtuar programet. Ndërsa, është bërë e ditur nga zyrtarë të partive se takimet mes këtyre dy subjekteve do të vazhdojnë, pa shtuar nëse mund të kenë një koalicion, ose jo.

Ndërkohë, është koalicioni PDK-AAK-Nisma që deklaron se i kanë numrat për ta formuar Qeverinë dhe se Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi ndonëse ka zhvilluar takim me Haradinajn, akoma nuk ka bërë të ditur se cila do të jetë data për të mbajtur mbledhjen konstituive të Kuvendit. Afati për të bërë një gjë të tillë është deri më 8 gusht.