Rugova: Pavarësisht takimeve, s’do të ketë koalicion mes VV dhe LAA

Aktuale July 20, 2017 - 14:47

Arben Rugova njohës i çështjeve politike, për Zëri.Info, tha se nuk pret ndonjë koalicion mes VV-së e LAA-së. Kjo për arsye se siç tha ai LAA nuk e do Albin Kurtin kryeministër, dhe se LAA nuk e ka te sigurt deputetet, pasi disa prej tyre mund ta votojnë Haradinajn për kryeministër. Sipas tij, takimet mes tyre po bëhen vetëm për të ruajtur elektoratin për zgjedhjet lokale. 

“Nuk besoj se do të ketë marrëveshje për koalicion midis VV-së dhe LAA-së, për dy arsye: e para, disa zyrtarë të LAA-së kërkojnë që Albin Kurti të mos jetë i nominuari i tyre për kryeministër, por të gjendet një kandidat konsensual, gjë që VV nuk besoj se do ta pranoj; dhe e dyta, të dyja partitë dyshojnë se disa deputetë të LAA-së do të votojnë të nominuarin e PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinajn. Pra, gjykoj se këto bisedime zhvillohen më shumë për të ruajtur elektoratin pasi zgjedhjet lokale janë afër dhe për t'i treguar opinionit sikur janë të gatshme të bëjnë ndryshime. LDK si kryesuese e koalicionit LAA bën sikur është e gatshme për të ndëshkuar PDK-në, por duke mos i besuar vetvetes, disa deputetëve të koalicionit po nxjerr kushte që nuk mund të pranohen nga VV”, ka thënë ai.

Ndërsa për VV-në tha se “nuk besoj dhe nuk ka interes si subjekt politike që të arrijë koalicion me LDK-në, por të gjitha këto veprime po i bën që të ngadhënjej në zgjedhjet lokale”.  

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani kanë pasur dy takime, për siq thonë ata përafrimin e programeve të të dyja palëve./ Zëri.Info