Tahiri: Po hyjmë në fazën e fundit të dialogut me Serbinë

Aktuale July 18, 2017 - 23:31

Kosova dhe Serbia po përgatiten për një fazë të re bisedimesh. Takimi i dy presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, shënojë një hap para kalimit të bisedimeve në nivel presidentësh pas ngecjeve dhe tensioneve të shumta.

Ministrja në largim për Dialog me Serbinë, Edita Tahiri thotë se dinamika e dialogut kishte rënë në periudhën e verës shkaku i zgjedhjeve që u mbajtën në të dyja vendet. 

“Sikurse që e dimë, dinamikat e dialogut kishin rënë në periudhën e pranverës nga shkaku i zgjedhjeve që u mbajtën në dyja shtetet, Kosovë dhe Serbi, si dhe periudhës së suspendimit të dialogut nga ana e jonë për arsye të njohura”, ka thënë Tahiri në një prononcim për Indeksonline. 

Sipas Tahirit, ky takim konfirmoi përkushtimin e palëve për vazhdimin e dialogut për fqinjësi mes shtetesh sipas vlerave evropiane, është një hap i mirë në interesin e dyja shteteve.

Ajo thotë se do të hyjnë në fazën përmbyllëse të dialogut, e cila për temë kryesore do të ketë njohjen reciproke mes dy shteteve.

“Në periudhën e ardhshme do te hyjmë në fazën përmbyllëse e dialogut të Brukselit, i cili për temë kryesore do të ketë njohjen reciproke mes dy shteteve, në të mirë të stabilitetit dhe paqes në rajon, të përshpejtimit të integrimit euro-atlantik për Kosovën por edhe për Serbinë, për ardhmërinë e marrëdhënieve ndërshtetërore paqësore duke ua siguruar ardhmërinë në fqinjësi paqësore gjeneratave të reja të dyja shteteve”, ka theksuar ajo. 

Tahiri vlerëson se procesi i zbatimit të marrëveshjeve duhet të vazhdoj sepse këto janë obligime detyruese që burojnë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel. 

“Po marrë shkas nga ky deklarim që t’i jap një përgjigje Presidentit të Serbisë Vucic, se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është e pashmangshme nëse Serbia e dëshiron integrimin në BE, sepse fqinjësia e mirë mes shtetesh është një prej kushteve kryesore për integrimin evropian për çdo shtet që e synon BE-në. Jam e bindur seVuçiq do ta njohë pavarësinë e Kosovës, madje duke qeshur, në vend se të qeshet me këtë kërkesë, ngase alternativa tjetër është izolimi i Serbisë dhe rrjedhimisht ngrirja e qeshjes”, vlerësoi Tahiri.