Hoxhaj: PAN-i e bën qeverinë, por partitë me konsensus për temat e mëdha

Aktuale July 18, 2017 - 17:36

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për radion Evropa e Lirë ka folur për formimin e Qeverisë dhe kalimin në parlament të marrëveshjeve dhe ligjeve të ndryshme të rëndësisë së veçantë për Kosovën. Hoxhaj ka thënë se Kosova ka nevojë që disa prej temave të karakterit konsensual në të ardhmen të mbështeten edhe nga LDK-ja dhe Vetëvendosja.

Në këtë radhë temash, Hoxhaj ka thënë se LDK e VV duhet ta mbështesin demarkacionin me Malin e Zi dhe liberalizimin e vizave, reformën zgjedhore, asociacionin e komunave serbe dhe formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Në pikëpamjen tonë jemi të mendimit që Kosova ka nevojë që disa prej temave të karakterit konsensual në të ardhmen të mbështeten edhe nga LDK-ja dhe Vetëvendosja. Konkretisht mendoj në përmbylljen e procesit të demarkacionit të kufirit dhe liberalizimin e vizave, dialogun me Serbinë, reformën zgjedhore, asociacionin e komunave serbe, sikurse edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj për Evropa e Lirë. Hoxhaj ka thënë se partitë duhet të kenë konsensus për temat e rëndësishme për vendin, pa marrë parasysh se kush do të jetë në qeveri.

“Përtej asaj se kush do të jetë në Qeveri dhe është e qartë që z.Haradinaj do të jetë kryeministër, kurse PDK-ja do të jetë motori i kësaj Qeverie, jemi të mendimit që Qeveria dhe opozita e ardhshme duhet të gjejnë forcë, vullnet politik dhe të kenë vizion politik për temat e karakterit konsensual dhe këtu z.Haradinaj dhe z.Veseli e kanë mbështetjen tonë që të ulen dhe të bisedojnë me të gjitha subjektet politike, edhe me LDK-në”, ka përfunduar Hoxhaj.