Çelaj: Premtimi i vetëm i realizuar i Shpend Ahmetit, shitja e xhipit pas katër viteve (Video)

Aktuale July 18, 2017 - 17:19

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka theksuar se suksesi i Shpend Ahmetit, është shitja e xhipit pas katër viteve.

Ai në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se i pari i Prishtinës, mezi pas katër viteve e ka shitur veturën e komunës, duke shtuar se “paramendojeni nëse flasim për projekte më të mëdha”.

“Çka ndryshon në jetën e qytetarit xhipi i kryetarit të Komunës? Kur nuk je në gjendje me shitë një veturë për katër vite, çka ndodhë me projekte më të mëdha. Mosaftësi, që në fund është dëmtim i buxhetit, për një teke personale”, ka shtuar Çelaj.

Ai ka folur edhe për premtimin e ujit të pijes në kryeqytet, duke thënë se meritat nuk janë të Ahmetit që është realizuar ky projekt, sepse sipas tij, kjo gjë është kryer shumë më herët dhe se ujësjellësi nuk është kompetencë e kryetarit të Prishtinës.

Çelaj ka thënë se ndalja e korrupsionit dhe ndërtimit pa leje janë çështje të percepcionit dhe se “shumë qytetarë kur i pyet cilat janë ndryshimet në Prishtinë, pas ardhjes së Shpendit në krye të saj, nuk dinë të tregojnë”.

“Dikush thotë se është vënë rregull në nxjerrjen e dokumenteve. Kjo çështje e rendit në dokumentacion ka ndodhur në të gjithë Kosovën, sepse ajo ndërlidhet me të dhënat qendrore, të cilat përmes MPB-së janë centralizuar”, ka shtuar ai. /Telegrafi/