Viets: Qeveria të jetë stabile, Kosova ka shumë sfida

Aktuale July 18, 2017 - 08:42

Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, thotë se ndërkombëtarët nuk dëshirojnë të përfshihen në formimin e Qeverisë së re. Por thotë se vetëm dëshirojnë t’ua kujtojnë politikanëve kosovarë që këtë çështje ta zgjidhin me përgjegjësi të madhe, pasi vendi ka probleme shumë të mëdha, të cilat njëherësh janë edhe sfida të mëdha. Këto komente Viets i ka bërë në vazhdimin e dytë të intervistës për gazetën “Zëri”, duke shtuar se kriter për liberalizimin e vizave me BE-në përpos Demarkacionit është edhe luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit. Sipas saj, në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit janë edhe hapa të tjerë, të cilët duhet të ndërmerren e ndër ta është edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kësaj interviste ajo ka folur edhe për përfshirjen e presidentit Thaçi në dialog me Serbinë, me ç’rast ka theksuar se secili format i dialogut i cili çon në normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve është i mirëseardhur, përderisa përfaqësuesit të cilët zhvillojnë këtë dialog kanë një mandat për ta bërë atë. “Në këtë rast mendoj që presidenti ka një mandat për të zhvilluar një dialog në kuptim të normalizimit të marrëdhënieve”, ka potencuar Viets.

Zëri: Po përmendet vazhdimisht nevoja e Kosovës për një qeveri stabile. Nëse nuk lëshohemi në spekulime dhe nëse shikojmë gjendjen faktike momentalisht z. Haradinaj i ka vetëm 59 deputetë. 61 deputetë shqiptarë janë në anën e opozitës te lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA. Nëse zotëri Haradinaj e sheh që nuk po mundet ta krijojë një qeveri stabile, e cila do t’i çonte agjendat e rëndësishme për vendin përpara, a duhet ta lëshojë atë dhe formimin e saj ta bëjë dikush që garanton shumicën shqiptare plus minoritetet?

Viets: Sa i përket kësaj pyetjeje unë nuk do të kisha dhënë ndonjë përgjigje, pasi ne si bashkësi ndërkombëtare nuk duam të përfshihemi në formimin e Qeverisë. Kjo është një pyetje për politikanët kosovarë, pasi është një çështje që ata duhet ta zgjidhin dhe duhet ta zgjidhin me përgjegjësi të madhe. Ne vetëm mund të shpresojmë se ata njëherë e mirë do t’i vënë interesat e vendit para të tjerave sepse situata në muajt e ardhshëm do të jetë e vështirë.

Ne po flasim shpesh për problemet dhe është fakt që sfidat janë të mëdha. Prej tre vjetësh sa jam këtu Kosova është marrë vetëm me veten. Kjo është për keqardhje sepse në këtë kohë Ballkani Perëndimor ka marrë një vëmendje shumë më të madhe, posaçërisht kohëve të fundit. Kemi Procesin e Berlinit, i cili ka filluar në vitin 2014 mirëpo për shkak se ky Proces nuk ka sjellë impulse të mjaftueshme për një bashkëzhvillim të përbashkët rajonal, që nga pranvera e këtij viti është prezantuar Procesi Berlin Plus, për të cilin sigurisht keni dëgjuar. Në Samitin e Triestes dje kanë qenë të përfaqësuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të këtij Samiti janë zotuar shumë mjete në fushën e infrastrukturës dhe mjete për fusha të tjera me qëllim zhvillimin e më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor. Është për keqardhje që Kosova ka qenë i vetmi vend në këtë Samit, e cila dje nuk ka paraqitur asnjë projekt dhe për shkak të kësaj në fushën e infrastrukturës Kosova këtë radhë nuk merr asnjë projekt infrastrukturor. Kjo tregon që kosovarët duhet të punojnë më shumë që ta zënë hapin edhe në kuptimin politik, se çfarë rëndësie kanë këto procese dhe bashkëpunimi rajonal për Kosovën me gjithë problemet e shumta.

Ne kemi dëgjuar edhe në muajt e kaluar kritika karshi nesh se po mundohemi t’ua imponojmë qoftë Kosovës, qoftë vendeve të tjera një program apo një agjendë të caktuar. Ne nuk po e bëjmë këtë thjesht sepse na pëlqen agjenda, por sepse ajo u shërben qytetarëve të të gjithë rajonit, natyrisht nëse zbatohet. Një pikë e kësaj agjende për të cilën po flasim është politika e reformave të BE-së që është në interes të të gjitha vendeve të rajonit. Mandej pika është bashkëpunimi rajonal. Tregu i Ballkanit Perëndimor, i cili përfshin rreth 20 milionë banorë, është shumë i vogël për të pasur domethënie të madhe dhe për të tërhequr investitorë të mëdhenj, nëse vendet e rajonit veprojnë të vetme.

Për ne është e qartë se kjo agjendë dhe zbatimi i saj kërkon punë dhe angazhim të palodhshëm. Mirëpo ne jemi edhe duke investuar dhe ne do ta mbështesim edhe Qeverinë e re dhe do të jemi përkrah Kosovës, për këtë nuk ka asnjë dyshim, mirëpo po ashtu do të donim të shihnim se edhe Kosova angazhohet. Kjo është arsyeja pse jemi deklaruar disa herë kundër zgjedhjeve të parakohshme sepse Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë në vendnumëro dhe për këtë shpresojmë që shumë shpejt do të krijohet Qeveria e re.

Zëri: Shefja e BE-së Apostolova, por edhe ambasadori Delawie kanë nisur takimet me partitë politike, a do ta bënit këtë edhe ju dhe për çfarë do të diskutoni me ta?

Viets: Takime me përfaqësues politikë zhvillojmë rregullisht. Kjo është pjesë e punës sonë dhe në ato takime ne informohemi. Ne bisedojmë me përfaqësues të partive dhe para së gjithash mund t’i paraqesim idetë tonat lidhur me rrugën që duhet ta ndjekë Kosova, por edhe t’i promovojmë prioritetet tona. Dhe prioritet për qeverinë gjermane është vazhdimi i dialogut me Serbinë në të mirë të interesit të të gjithë njerëzve, normalizimi i marrëdhënieve i të dyja shteteve, ajo se çfarë është urgjentisht e nevojshme për zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, reformat politike të cilat duhet të merren seriozisht. Të gjitha këto kërkojnë punë të madhe edhe për Qeverinë e re.

Më lejoni që të përmend edhe diçka pozitive, sepse ka fusha që janë më pozitive sesa politika. Kjo aktualisht është fusha e ekonomisë, megjithëse edhe aty ka kryesisht sfida të mëdha, por edhe fije shprese. Kemi vërejtur javët e kaluara një interesim të madh të investitorëve qoftë përmes pyetjeve të drejtpërdrejta, qoftë përmes vizitave të cilat janë bërë. Ka shanse të shumta për Kosovën për ta rritur produktivitetin në fusha të caktuara apo për ta zhvilluar aftësinë konkurruese nëpërmjet investimeve apo bashkëpunimeve. Mirëpo parakushti themelor është luftimi i korrupsionit, fuqizimi i shtetit ligjor dhe para së gjithash një sistem më i fortë i drejtësisë. Edhe këto janë prioritete për qeverinë gjermane, sikurse edhe domodsoshmëria për të krijuar këtu perspektiva, para së gjithash vende të reja pune. Për këtë arsye kushtet kornizë, si luftimi i korrupsionit, për një shtet të fortë ligjor janë tejet domethënëse për investitorët tanë dhe kjo është arsyeja pse ne e përsërisim këtë vazhdimisht.

Të konfiskohet pasuria e paligjshme

Zëri: Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit sikur po tentohet të heshtet nga ana e autoriteteve kosovare si kusht për liberalizimin e vizave, ata përmendin vetëm Demarkacionin me Malin e Zi. Pse po ndodh kjo?

Viets: Po, është e vërtetë që ka pasur një tendencë të politikanëve për muaj me radhë që të përmendet vetëm një kriter i hapur - liberalizimin e vizave, ndërsa ne e kemi theksuar se i ka dy kritere që duhet të plotësohen. Ka një sërë akuzash, por edhe progres në fushën e luftimit të korrupsionit. BE-ja në Raportin e Progresit për Kosovën ka konfirmuar edhe progresin e arritur, por kjo akoma nuk mjafton sepse akuzat duhet të pasohen nga gjykimet, konfiskimi i pasurisë së arritur paligjshëm apo i hapave të tjerë. Këto deri më tani kanë munguar. Këtë nuk e themi kot, por për shkak se korrupsioni shkakton edhe kosto të lartë ekonomike dhe pengon zhvillimin. Ndoshta edhe rezultati i zgjedhjeve është një shprehje që këtë e ka kuptuar edhe popullata dhe dëshiron që kjo të ndryshojë.

Jemi habitur me premtimin se për tre muaj do të hiqen vizat

Zëri: Qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në tre muajt e parë të qeverisjes sime. Ky ka qenë premtimi i kandidatit për kryeministër nga koalicioni PAN. Madje ai ka thënë se liberalizimi mund të ndodhë edhe pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Si e komentoni ju këtë dhe çfarë duhet të ndodhë me këtë marrëveshje?

Viets: Po, e kemi dëgjuar edhe ne këtë premtim dhe jemi habitur sepse nuk është aspak në pushtetin e një kryeministri kosovar, pavarësisht si quhet ai, për të shpallur datën e lëvizjes pa viza brenda tre muajve pas zgjedhjes së tij. Aktualisht ka këto dy kushte që nuk janë plotësuar ende dhe ne nuk e shohim se ato do të përmbushen në tre muajt e ardhshëm. Për rrjedhojë nuk dihet nëse do të ketë liberalizim të vizave këtë vit.

Sa i përket çështjes se çfarë do të ndodhë me Demarkacionin, për këtë duhet ta pyesni zotëri Ramush Haradinajn kur të jetë bërë kryeministër se çfarë plani ai ka. Ne nuk kemi ndonjë plan tjetër. Në të kaluarën kemi vënë në dispozicion ekspertë, ka pasur disa komisione, të cilat janë marrë me këtë çështje. Për ne është plotësisht e qartë se rezultati është korrekt. Kosova do të kishte pasur mundësi që të ecë përpara. Opinioni publik në fund ishte kundër një ratifikimi. Kështu tani është në duart e tyre që ta zgjidhin.

Presidenti ka mandat për dialog

Zëri: Dialogu me Serbinë ka mundësi të kalojë në nivel presidencial, a është momenti që ky nivel i lartë shtetëror ta përfundojë këtë proces dhe në çfarë forme?

Viets: Unë mendoj që secili format i dialogut, i cili çon në normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, është i mirëseardhur përderisa përfaqësuesit të cilët zhvillojnë këtë dialog kanë një mandat dhe në rastin e presidentit ky mandat ekziston. Në qoftë se një nivel i ri kontribuon në zgjidhjen pragmatike të çështjeve politike kjo është vetëm për t’u përshëndetur. Mirëpo, BE-ja e ka thënë shumë qartë që edhe nëse ndryshon formati i dialogut marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të respektohen.

Zëri: Në Samitin e Triestes liderët e Ballkanit kanë miratuar Planin për një Zonë Ekonomike Rajonale. Si e keni parë ju këtë Samit dhe çfarë rëndësie ka për Kosovën?

Viets: Sa i përket kësaj ende nuk e dimë saktë sesi duket teksti i deklaratës në këtë Samit, mirëpo zona e integruar ekonomike duhet të krijohet sepse ajo nuk ekziston ende. Kjo do të kishte rëndësi, për shembull për shkak të pritjeve të gjata të kamionëve në dogana apo certifikimet në kufij do të eliminohen që çështja e statusit nuk ka më rëndësi, po e them me mendje në raportin Kosovë - Bosnjë Hercegovinë. Pra nuk dimë detaje, por nëse kjo ndodh do të ishte një gjë shumë e mirë sepse do të sillte vetëm përfitime ekonomike nëse bashkëpunimi ndodh në nivel rajonal. Nuk ka humbje, por ka mirëqenie ekonomike. Ne e mbështesim tregtinë e lirë dhe kjo do të nënkuptonte tregti të lirë, e cila do ta forconte fuqinë ekonomike të Ballkanit. Kosova ka pasur rezerva, mirëpo me sa kemi kuptuar ato janë marrë në konsideratë, por siç e thashë ende nuk kemi parë asgjë të shkruar.