Qeveri me bazë të gjerë

Aktuale July 18, 2017 - 07:54

Koalicioni fitues në zgjedhjet e 11 qershorit, PAN, ka konfirmuar se kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj është duke punuar për krijimin e një Qeverie me bazë të gjerë. Ende nuk janë dhënë detaje se kush nga partitë mund t’i bashkohet këtij koalicioni, por rezultatet e konsultimeve priten të mësohen brenda javës

Partnerët e koalicionit PAN janë në fazën e konsultimeve me partnerët e mundshëm jo për krijimin e numrave për të cilët po spekulohet skajshëm, por për krijimin e një baze më të gjerë politike qeverisëse e që rezultati i këtyre konsultimeve do të dihet menjëherë pasi Ramush Haradinaj edhe zyrtarisht ta marrë mandatin për krijimin e Qeverisë.

Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, e cila konfirmon bisedimet të cilat janë duke u zhvilluar në këtë drejtim. E mandatin për krijimin e Qeverisë Haradinaj pritet që ta marrë brenda kësaj jave, ashtu siç është deklaruar deri më tani. Ky opsion po shihet i mundshëm edhe nga disa përfaqësues të tjerë politikë. Sipas tyre, me anë të kësaj Qeverie do të zgjidheshin shumë çështje të cilat gjatë qeverisjes së kaluar mbetën të pazgjidhura, siç janë Demarkacioni, liberalizimi i vizave, krijimi i ushtrisë, etj.

Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli (pjesë e koalicionit LAA) qe ai i cili para pak ditësh e përkrahu një opsion të tillë. E pro kësaj ideje u shpreh edhe Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën (pjesë e koalicionit PAN). Kurse së fundmi edhe këshilltari i kryeministrit Mustafa, Besnik Berisha, tha se ka ardhur koha që edhe një herë për Kosovën t’i shtrihet dora njëri-tjetrit. Mirëpo, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Qeveria gjithëpërfshirëse nuk paraqet zgjidhjen e duhur, veçmas tash pas përfundimit të zgjedhjeve kur qytetarët e kanë dhënë verdiktin. Sipas tyre, një gjë e tillë është thuajse e pamundur të realizohet në situatën e tanishme. Një opsion të tillë nuk e kanë përkrahur as përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje”.

Krasniqi: Nuk shoh zgjidhje fatlume pos qeverisë gjithëpërfshirëse

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, ka thënë se për rrethanat aktuale zgjidhje më e mirë se Qeveria gjithëpërfshirëse nuk mund të gjendet.

“Duke i ditur detyrat dhe përgjegjësitë e vendit tim si në raportet e jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme zgjidhje tjetër fatlume veç një qeverie gjithëpërfshirëse ose me një bazë të gjerë nuk shoh”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Mirëpo sipas Krasniqit, po mungon vullneti për të qenë në shërbim të kombit.

“Është i mundshëm, por duhet vullnet i mirë për të qenë në shërbim të kombit e të shtetit. Ky vullnet si duket po mungon, së paku deri më tani”, është shprehur ai.

Pantina: Ndryshimi nuk sigurohet nga një qeveri me PDK-në

Kurse deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka vlerësuar se ndryshimi nuk vjen nga një qeveri gjithëpërfshirëse. Sipas saj, vendi aktualisht ka nevojë për një opozitë të fortë.

“Zgjedhjet e kaluara kanë treguar se qytetarët duan ndryshim, një ndryshim i tillë nuk sigurohet nga një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila brenda saj do ta kishte edhe PDK-në. Vendi ka nevojë edhe për opozitë të fortë që do ta kundërshtonte ndonjë vendim eventual të dëmshëm. Mendoj se pas dështimit të koalicionit PAN e drejta për formimin e Qeverisë duhet t’i kalojë lëvizjes ‘Vetëvendosje’”, është shprehur Pantina.

Pavarësisht saj, lideri i AKR-së Behgjet Pacolli (pjesë e koalicionit LAA) para pak ditësh ka propozuar që të arrihet një marrëveshje me të gjithë liderët e partive politike.

“Ja propozimi im për një marrëveshje historike: Të organizohet një tryezë me të gjithë liderët e partive të mëdha politike: ‘Vetëvendosje’, LDK, PDK, AAK, Nismë, AKR dhe partitë e minoriteteve”, ka thënë ai.

Sipas Pacollit, do të duhej të hartohej një plan për punën njëvjeçare të qeverisë gjithëpërfshirëse.

“Të vendoset për planin e veprimit njëvjeçar të punës së Qeverisë, pos punëve të tjera të administrimit të përditshëm që do të përfshinte: Demarkacionin, Asociacionin, lëvizjen e lirë pa viza, Ligji i ri Zgjedhor, zgjedhja e presidentit nga populli, ndryshimet kushtetuese, themelimi i ushtrisë së Kosovës, ristrukturimi i administratës publike, vetingu, marrëdhëniet konstruktive me Gjykatën Speciale”, ka shtuar Pacolli.

Ismaili:Qeveria gjithëpërfshirëse do të kishte kuptim vetëm para 11 qershorit

Nga ana tjetër Valmir Ismaili, nga Demokracia Plus, ka vlerësuar se krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse do të kishte kuptim vetëm nëse do të krijohej para zgjedhjeve të fundit nacionale.

“Qeveria gjithëpërfshirëse do të kishte kuptim vetëm para zgjedhjeve, pra në ato raste kur Qeveria për arsye të ndryshme nuk do të mundë të merrte vendime dhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja do të mundë të krijohej një qeveri teknike. Sidoqoftë, Kosova është në një situatë të tillë ku vendi ka nevojë që të merren vendime të mëdha”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Më tutje ai ka thënë se vendimet e mëdha nuk mund të merren me qeveri gjithëpërfshirëse sepse do të mungonte përgjegjësia.

Edhe Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka konsideruar se nuk do të ketë mundësi për ta krijuar një qeveri, në të cilën do të merrnin pjesë të gjitha partitë politike.

“Unë mendoj se nuk do të ketë ndonjë opsion për qeveri gjithëpërfshirëse. Subjektet politike nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre që nga certifikimi i rezultateve dhe parimisht nuk po duket një klimë e përshtatshme politike për këso lloj marrëveshjesh. Për të ardhur deri te një kryeministër konsensual partitë politike duhet t’i lënë anash inatet e rivalitetin dhe të negociojnë me letra të hapura për këtë çështje”, ka potencuar ai.

Por sipas Muratit, LDK-ja e LVV-ja haptazi kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e asnjë formacioni politik pjesë e së cilës është edhe PDK-ja. Kësisoj është e vështirë të mendohet se një konsensus i tillë mund të arrihet.

Baraliu: Do të duhej një qeveri gjithëpërfshirëse jashtë interesave personale

Kurse njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se do të duhej të krijohej një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të rezultonte e suksesshme në rrethanat e tanishme.

“Do të duhej gjetur një model tjetër i formimit të Qeverisë dhe jo të shkohet kështu si është sepse edhe në qoftë se do t’i ketë 61 deputetë, thjesht formimi i Qeverisë me atë numër nuk sjell as qëndrueshmëri, as sukses, as rezultat e as stabilitet. Prandaj, do të duhej gjetur një mekanizëm tjetër që nënkupton një qeveri jashtë interesave personale e grupore, politike e partiake, në frymën e një interesi shtetëror”, ka deklaruar ai.

Sipas Baraliut, do të duhej një model tjetër i një qeverie gjithëpërfshirëse, nga të gjitha  subjektet politike, i pavarur nga Lista Serbe.

Ndërkaq, profesori universitar Dashnim Ismajli ka vlerësuar se qeveria gjithëpërfshirëse nuk siguron efikasitet.

“Mendoj se një model i këtij lloji të Qeverisë edhe pse mund të parashikohet që të jetë stabil, duke marrë nga përvojat e kaluara nuk garanton efikasitet dhe rrit papërgjeshmërinë politike në shërbim të institucioneve vendore. Çdo tentativë për ta shuar rolin opozitar në sistemet demokratike sfidon institucionet dhe rolin e mekanizmit të kontrollit ndaj Qeverisë”, ka deklaruar ai.

Andaj, sipas tij, krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse është i dëmshëm për demokratizimin e vendit dhe në favor të aferave korruptive./Zeri/