Në shtator, Kosova në Interpol (VIDEO)

Aktuale July 17, 2017 - 23:20

Sido që të jetë puna e institucioneve të reja, përpjekja për anëtarësim në institucione ndërkombëtare vazhdon.

Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka krijuar ekipin i cili po punon që Kosova të jetë pjesë e Interpolit.

Ministri në detyrë, Skender Hyseni, beson se vendi ynë në shtator do ta marrë mbështetjen e nevojshme për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë.

Zyrtarët shtetërorë të Republikës së Kosovës i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme me qëllim që këtë vit Kosova të jetë anëtare e Interpolit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, shpreson se vendi ynë do ta marrë mbështetjen e nevojshme për t’u anëtarësuar në Interpol, megjithatë pranon se do të ketë sfida të mëdha gjatë këtij procesi.

LEXO EDHE: Serbia, pengesë e Kosovës drejt INTERPOL-it

Mediet në Beograd që dje kanë raportuar se shteti serb tanimë ka formuar mekanizmat shtetërorë, me qëllim që ta pengojë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Interpol.

Siç u raportua dje, për këtë pengesë zyrtarët serbë presin edhe ndihmën e Rusisë, të Kinës e të shteteve afrikane.

Sido që të jetë, Kosova i ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për anëtarësim në Interpol.

Sipas Hysenit, po vazhdohet të punohet për identifikimin e vendeve për lobim, me qëllim që shteti ynë në shtator të këtij viti të jetë anëtarja më e re e Interpolit.

Republikës së Kosovës i nevojiten dy të tretat e votave të shteteve të pranishme në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit që do të mbahet në Pekin. /RTK/