Uji i pijes në Kosovë është i nivelit të lartë

Aktuale July 17, 2017 - 21:35

Burbuqe Nushi Latifi – koordinatore në Qendrën e Monitorimit të Ujit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) – ka thënë se, uji në Kosovë është i pijshëm dhe se ka cilësi e standarde të duhura, përshirë parametrat e parapara në udhëzimet e IKSHP-së dhe direktivat evropiane.

“Sipas të dhënave të fundit të Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizime, del se 90 për qind e qytetarëve të Kosovës pinë ujë prej sistemeve qendrore, pra prej ujësjellësve. E, sa i përket cilësisë së ujit dhe analizave që ka bërë IKSHP, ky ujë në nivelin 98.3 për qind i përmbush standardet e parapara”, ka deklaruar Nush-Latifi.

Sipas saj, çdo rezultat tjetër – pos atij zyrtar të dalë nga ana e IKSHP-së – është jovalid dhe joprofesional.

Ndërkaq, kur është fjala për ujin që shitet në shishe të plastikës në Kosovë, ajo ka thënë preras se qytetarët nuk duhet të kenë shqetësime për ujin e Kosovës, qoftë të blerë apo atë nga sistemet e ujësjellësit në Kosovë. /Telegrafi/