Miratohet qasja e Kosovës në Programet e BE-së

Aktuale July 17, 2017 - 21:17

Ministria e Integrimit Evropian, ka mirëpritur Marrëveshjen Kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen në programet e BE-së nga ana e Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Njoftimi i plotë i Ministrisë:

Mirëpresim miratimin e Marrëveshjes Kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe  Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen në programet e BE-së nga ana e Këshilli për punë të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Pas miratimit të sotëm kjo marrëveshje kornizë  e cila është nënshkruar mes BE-së dhe Kosovës në dhjetor të vitit kaluar do të hyj në fuqi së shpejti dhe do të mundësoj që  Kosova të jetë pjesë e 17 programeve të BE-së që ofrojnë mbështetje financiare për një gamë të gjerë përfituesish, siç janë, studentët, shkencëtarët,OJQ-të, bizneset, qytetet, rajonet, mediet, artistet dhe shumë të tjerë.

Kërkesat e Kosovës për t’ju mundësuar qasja në këto programe janë të kamotshme dhe procesi deri te miratimi i sotëm ka qenë i gjatë, duke filluar zyrtarisht që nga viti 2009 kur Komisioni Evropian e ka rekomanduar për herë të parë. 

Padyshim, kjo do të  krijoj mundësi të reja për bashkëpunim mes Kosovës dhe BE-së, duke përfshirë edhe pjesëtar të ndryshëm të shoqërisë tonë në proces të bashkëpunimit me kolegët e tyre nga BE edhe rajoni.

Qeveria e Kosovës në vitin e parë pas hyrje në fuqi, pra gjatë vitit 2018,  ka paraparë pjesëmarrjen në katër nga këto programe në vitin në vazhdim: Erasmus +, COSME , Evropa për Qytetarë dhe Evropa Kreative.